Lajme

Boiken Abazi i VV: Thaçi e Mustafa janë specie politike të ngjashëm me vampirët

Boiken Abazi që është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje përmes një shkrimi në Facebook i ka quajtur Hashim Thaçin e Isa Mustafën vampirë politikë e që sipas tij ata mbijetojën vetëm duke pirë gjak.

Ky reagim i Abazit ka ardhur pas paralajmërimeve së këtë javë mund të krijohet qeveria e re LDK AAK NISMA, e që kësisoj VV e PDK do të mbesin në opozitë.

Reagimi i plotë :

Thaçi e Mustafa janë specie politike të ngjashëm me vampirët. Si vampirët që u krijuan në mesjetë, Thaçi e Mustafa janë përfaqësues të një regjimi të vjetër që duan të rivendosin në Kosovë neofeudalizmin, rendin e ri mesjetar që problemet i zgjidh përmes dhunës e grabitjes së të tjerëve dhe ndarjes së plaçkës mes klaneve të tyre. Si vampirët që kanë vdekur por ekzistojnë vetëm duke i pirë gjakun të gjallëve, Thaçi e Mustafa kanë vdekur politikisht e për të ekzistuar ata dhunojnë kushtetutë e kundërshtarë politikë, dhe tentojnë t’i nënshtrojnë qytetarët si skllevër të tyre. Thaçi e Mustafa, bashkë me klanet që i rrethojnë, politikisht nuk mund të ekzistojnë përveç se si gjakpirës. I është shtuar shumë etja këtë kohë e janë ligështuar se qeveria e re ka qenë si hudhra për vampirët. Zgjedhjet e radhës janë goditja në zemër për ta, që i jep fund ekzistencës së tyre. Para se të marrin goditjen e fundit, dhe nga që e dinë se nuk kanë shpëtim prej saj, ata po orkestrojnë betejën e tyre finale, grusht shtetin që synon gjunjëzimin e qytetarëve dhe prerjen gjakatare të trupit të Kosovës ku duan të shuajnë etjen e tyre. Por nuk e duron më ky popull natën mesjetare ku sundojnë vampirët. Në këtë betejë finale dita, dija e drita do fitojnë mbi errësirën.