Kamberi/ Të respektojmë masat e të mbrojmë vetveten e rrethin ku jetojmë
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi përmes një shkrimi është shprehur lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme që po mbretëron në gjithë vendin e vençanërisht në territorin e komunës i cili tha se duke i respektuar ato masa do të mbrojmë vetveten, familjen tonë, rrethin ku jetojmë-eliminojmë çdo mundësi jo vetëm të bartim, por edhe të marrim virusin vdekjeprues.
Postimi i i plotë :
Qytetarë të nderuar,
Sikurse shumë njerëz tjerë nëpër komuna tjera, shtetet e tjera e bile edhe kontinentet tjera, edhe ne po përballemi me një rrezik potencial për jetën, i cili, mjerisht, nëpër shtete shumë më të zhvilluara se ky ku po jetojmë po merr qindra jetë njerëzish.
Virus i ri Covid 19, i njohur si Corona virusi, po kërcënon edhe komunën tonë, pavarësisht se deri në këto momente nuk kemi të verifikuar asnjë rast me simptomat e këtij virusi. Të dhënat zyrtare për Bujanoc flasin se ndaj disa personave është shqiptuar masa e vetëizolimit, si masë që shqiptohet ndaj inividëve që kanë ardhur apo kanë udhëtuar jashtë kufirit.
Kjo nuk do të thotë se këta persona edhe janë të infektuar dhe bartës të virusit. Gjatë ditëve që gjenden në vetëizolim do të vërtetohet edhe gjendja e tyre shëndetësore. Pra, në këtë rast vetëizolimi paraqet masë prevencioni.
Në rrethanat e kërcënimit permanent ndaj jetëve tona, e ky rrezik tash, me paraqitjen e rastit të infektuarit të parë në qytetin fqinjë të Vranjës, është edhe me konkret, e vetmja mënyrë e mbrojtjes është prevencioni, pra respektimi i masave të përcaktuara.
Duke i respektuar ato masa do të mbrojmë vetveten, familjen tonë, rrethin ku jetojmë-eliminojmë çdo mundësi jo vetëm të bartim, por edhe të marrim virusin vdekjeprues.
Në jemi duke jetuar në gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur zyrtarisht. Kjo gjendje nuk mbretron veç tek ne. Situatë e njëjtë është edhe në shtetet e rajonit e bile dhe shumë vende të Evropës. Vetë shpallja e virusit si Pandemi flet së ai ka marrë përmasa globale, dhe është shpërndarë në mbarë Globin e Tokës
Mjerisht, rrethanat e jashtëzakonshme ndërrojnë ritmin tonë të jetës së përditshme, na imponojnë rregulla të reja të sjelljes dhe jetesës. Rregulla që na ndryshojnë jetën tonë me të cilën jemi mësuar.
Por, kësaj radhe, këto rregulla nuk kanë për qëllim kufizimin e lirisë së individit, ato thjeshtë kanë për qëllim krijimin e sigurisë për individin, familjet tona dhe mbarë komunën tonë.
Prandaj, apeloj të secili prej jush, që t’i përmbaheni në mënyrë strikte rregullave të përcaktuara, t’i respektoni ato, sespe duke i respektuar rregullat, do të mbroni jetën tuaj, jetën e më të dashurve tuaj, jetën e rrethit ku jetoni.
Shpresoj në mirëkuptimin e secilit, sepse secili prej nesh, veç obligimit të kujdesit për vetveten kemi borxh edhe kujdesin për familjen tonë dhe obligimin e kujdesit për rrethin ku jetojmë.
Në rrethana të këtilla të përballjes me rrezikun e padukshëm vdekjeprues na mbetet të shpresojmë në Mirësinë e të Gjithpushtetshmit, se do të na kursejë nga kjo e keqe globale.
Me respekt.
Shaip Kamberi