Kamberi sot dorëzoi propozimin për Ndryshimin e Ligjit për pakica për përdorimin e lirë të flamurit në Serbi
Deputeti shqiptar në parlamentin serb Shaip Kamberi, sot njoftoi se zyrtarisht ai ka dorëzuar propozimin propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave që jetojnë dhe veprojnë në Serbi, transmeton Ministria e Lajmeve.
Njoftimi i plotë i Kamberit :
Ndryshimi i Ligjit për pakica për të lejuar përdorimin e lirë të flamurit
Në procedurë parlamentare sot dorëzova propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.
Neni 14, alinea 2 e këtij Ligji ndalon përdorimin e simboleve kombëtare “nëse janë identik me simbolet e shtetit tjetër”.
Me propozimin e ri kam kërkuar ndryshimin e plotë të këtij Neni, eliminimin e pengesave për përdorimim e simboleve, me propozimin që simbolet e pakicave të përdoren lirshëm dhe zyrtarisht gjatë tërë vitit në institucionet e vetadministrimit lokal dhe organet shtetërore në të gjitha komumat në të cilat gjuha e pakicave është gjuhë zyrtare.
Në rastet e komunave ku pakicat përbëjnë më pak se 5% të strukturës etnike, me këtë propozim kërkohet lejimi i përdorimit të flamurit në festat kombëtare të pakicave nacionale.
Propozimin për ndryshimin e këtij Ligji e kanë përkrahur edhe kolegët e mi deputet, Enis Imamovic dhe Selma Kucevic nga SDA e Sanxhakut dhe deputeti i pavarur Aleksandar Olenik.