Kamberi: Policia multietnike po rrezikon të zhduket – kërkojmë program të veçantë për punësimin e të rinjve shqiptarë dhe boshnjakë
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka paralajmëruar se policia multietnike në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak është në rrezik të zhduket për shkak të mungesës së përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe boshnjakëve në strukturat policore.
Në një iniciativë të përbashkët me deputetët e SDA-së nga Sanxhaku, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, Kamberi ka kërkuar nga Kryeministri i Serbisë krijimin e një Programi të veçantë për punësimin e të rinjve shqiptarë dhe boshnjakë në polici, në të gjitha komunat dhe qytetet ku jetojnë këto komunitete.
Sipas tij, punësimet e dekadës së fundit nuk kanë garantuar balancë etnike, duke ulur ndjeshëm numrin e shqiptarëve dhe boshnjakëve në polici dhe duke krijuar mospërputhje serioze me përbërjen reale të popullsisë.
“Ky program duhet të zbatohet derisa përbërja e policisë të pasqyrojë realisht strukturën kombëtare të popullsisë, ashtu siç u arrit në vitin 2001 me ndërmjetësimin e OSBE-së, kur modeli i policisë multietnike solli stabilitet dhe besim te qytetarët,” theksoi Kamberi.
Ai shtoi se rikthimi dhe forcimi i këtij modeli është domosdoshmëri për garantimin e sigurisë dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve.