Kamberi: Komuna e Bujanocit përkrah interesin e qytetarëve, 78 vende të reja të punës
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi në një intervistë për Titulli.com tha se ka realizuar projekte të rëndësishme kapitale për banorët por edhe përmes subvencioneve kanë ndihmuar në hapjen e 78 vendeve të reja punës. “Përmes buxhetit të komunës ne po ndajmë mjete për të angazhuar kuadro plotësuese në shtëpinë e shëndetit në Bujanocjo se e kemi obligim por me të vetmen arsye që pacientave me i siguru personel shëndetësorë”, është shprehur Kamberi për Titulli.com.
Sipas Kamberit financimi që komuna e Bujanocit jep për shkollat tona është më i larti në rrethinë duke përjashtuar Vrajën. Ai ka folur për projektet kapitale, hapjen e vendeve të reja të punës, ndërtimin e fabrikës dhe shumë tema tjera në interes për banorët e komunës së Bujanocit.
Titulli.com: Fillimisht na tregoni se cilat janë të arriturat e qeverisjes suaj dhe çka është duke i munguar komunës së Bujanocit për një funksionim më efikas?
Kamberi: Duke realizuar buxhetin e vet në këto tri vjet e shkuara, komuna e Bujanocit ka realizuar një sërë projektesh të ndryshme infrastrukturore duke përfshirë të gjitha vendbanimet në kuadër të territorit të saj. Sa i përket projekteve infrastrukturore do të kisha veçuar projektin kapital të rregullimit të shtratit të Lumit të Tërnocit dhe urën në lagjen e strukarëve si dhe projekti i zgjerimit të rrugës Nasalcë – Letovicë.
Janë duke u bërë përgatitjet e fundit që të përfundojmë edhe dy projektet tjetra kapitale siç është rruga Muhoc – Zarbicë dhe Transfer stacioni i grumbullimit të mbeturinave të ngurta. Një ndër projektet më të rëndësishme për komunën e Bujanocit, kemi filluar ta përgatisim. Aktualisht ne jemi në fazën finale të hartimit të dokumentacionit kryesorë për fabrikën për pastrimin e ujërave të zeza. Megjithatë, mendoj se projekte më të rëndësishme që kemi realizuar janë subvencionet për bujqësi dhe për bizneset e tona lokale. Për këtë mandat, komuna ka ndarë mbi 108 milion dinarë për të subvencionuar bujqit dhe bizneset lokale. Ky është një kontribut i drejtpërdrejtë në aftësimin e bujqve por edhe në krijimin e vendeve të punës. Më 2018 komuna ka dhënë subvencione fillestare (Start up projekte) për 78 shfrytëzues, kjo do të thotë se vetëm me këtë projekt janë hapur 78 vende pune në Bujanoc më 2018. Megjithatë, ju dëgjoni shpesh akuza se këto janë mjete që po keqpërdoren. Nuk përjashtoj mundësinë që dikush nga shfrytëzuesit të keqpërdorë mjetet e marra, mund të ndodhë edhe kjo, por disa raste individuale nuk munden assesi ta njollosin këtë projekt të rëndësishëm. Fundja, secili shfrytëzues, në kontratën që e ka me komunën, obligohet t’i përmbahet kushteve që ja kemi vënë. Në të kundërtën është i obliguar që t’i kthejë mjetet e marra. Ne do t’i bëjmë kontroll gjithëve dhe secilin rast individualisht do ta trajtojmë. Kemi vazhduar të ndihmojmë studentët, janë dhënë bursat për nxënësit e shkollave të mesme, kemi ndihmuar mediat, sportin, OJQ-të, SHKA-të. Financimi që komuna e Bujanocit e jep për shkollat tona është më i larti në rrethinë, përjashto Vrajën që është qytet.
Pavarësisht këtyre aktiviteteve të kryera ka edhe shumë punë për t’u bërë. Problemi aktualisht i rëndë në Bujanoc është edhe çështja e pazgjidhur e parkingut. Kjo po krijon një tollovi të rëndë gjatë ditës. Aktualisht jemi duke punuar për të gjetur një zgjidhje edhe për këtë punë, por mendoj se policia lokale po dështon ta kryej punën e mbajtjes së rregullit në qytet. Policia dënon qytetarët pse nuk kanë të lidhur rripin e sigurisë apo edhe pse nuk i kanë të dhezur dritat gjatë ditës por nuk ndërhynë në rastet kur parkohen keq. Shpesh ndodhin edhe zënka mes njerëzve për parkim. Shpresoj që kjo sjellje e policisë nuk ka për qëllim të fshehtë krijimin e tollovisë. Në momentin kur të ofrojmë një zgjidhje për parkingun unë do të thërras në një takim zyrtarët e policisë për t’i bërë të ditur obligimet që i kanë.
Ka problem të shpeshta edhe me grumbullimin e mbeturinave në qytet që po krijohen për shkak se mekanizmi i vjetruar i Komunalisë shpesh ndodhet në defekte. Po kërkohet një angazhim mbi të zakonshmen që Komunalia duhet ta ketë. Në këtë mandat ne këmi siguruar për Komunalinë dy kamion për grumbullimin e mbeturinave, Një cisternë për transportin e ujit të pijshëm dhe një kamion për pastrimin e rrugëve. Megjithatë nuk jam i kënaqur me shërbimet e ofruara. Komunalia duhet që gjatë këtij viti të inkuadrojë në sistemin e grumbullimit të organizuar të mbeturinave edhe vendbanimet e tjera duke zgjeruar punën ata do të zgjerojnë edhe të hyrat e veta.
Titulli.com: Sa është transparente komuna e Bujanocit sipas jush dhe ku ka ngecje më të madhe në këtë fushë?
Kamberi:Pyetja mund të shtrohet sa edhe ka interesim për transparencë, sepse shoh që shumë çështje të rëndësishme nuk i interesojnë askujt. Komuna e ka obligim ligjorë me qenë transparente. Kuvendin tonë e përcjellin mediat drejtpërdrejtë, për këtë japim 2 milion dinarë. Këshilli Komunal është i hapur për pjesëmarrje të mediave. Kjo nuk po ndodh në komunat fqinje. Komuna vendimet e veta i shpallë në veb faqen e vet, ne i shpallim edhe në faqen tonë të facebookut. Personalisht jam gjithmonë online për mediat. Për mua nuk ka pyetje që duhet injoruar. Jam i hapur për mediat 24 orë në ditë, dhe nuk ndodh që të mos përgjigjem. Ka urdhër për çdo funksionarë të administratës të jenë transparent. Prandaj, komuna është transparente për aq sa qytetarët janë të interesuar për të qenë të njoftuar.
Titulli.com: A jeni të kënaqur me planifikimin e realizimit të projekteve në infrastrukturë për vitin 2019, a mundë të realizohen në tërësi dhe veçoni tre projekte më kryesore apo më të mëdha?
Kamberi: Në kuadër të Buxhetit për këtë vit gjenden shumë projekte që do të realizohen, për vendbanimin për të cilin janë paraparë janë projekte prioritare, prandaj edhe në përgatitjen e buxhetit jemi munduar që të përfshijmë me së paku një projekt për gjitha vendbanimet. Varësisht nga këndi i cili i vështron shihet edhe rëndësia e projektit. P.sh. Trafostacioni në Bilinicë për banorët e asaj ane është projekti më kapital që duhet realizuar. Kjo vlen edhe për projektet nëpër vendbanimet e tjera. Mendoj se për vetë qytetin ka pasur nevojë të parashohim edhe disa projekte por kufizimi i mjeteve që kishim në dispozicion, nevojat e vendbanimeve tjera kanë që ne ato që na kanë ndikuar që buxheti të jetë ky që është.
Titulli.com: Në shtëpinë e shëndetit janë bërë punësime të personelit shëndetësorë ndërsa ju po akuzoheni se nuk po punësoni shqiptarë. Cila është e vërteta e kësaj?
Kamberi: Për vite me radhë komunë e Bujanocit nga buxheti i vet ndanë mjete për të punësuar personel në shtëpinë e shëndetit. Edhe për këtë vit janë ndarë mbi 21 milion dinarë për këto nevoja. Në radhë të parë punësohen mjek për disa vendbanime për të cilat nga numri i të punësuarve të rregullt nuk ka mjaftueshëm personel për të punuar. Nasalca, Bilaçi, Tërnoci dhe Kleniku janë këto vendbanime. Deri te kjo në radhë të parë sjell dekreti qeveritarë për të kufizuar numrin maksimal të punësuarve në sektorin publik. Ministria e shëndetësisë, nuk lejon punësimin e kuadrove të reja në institucionet shëndetësore, edhe në rastet kur, sikurse ka ndodhur në Bujanoc mjekët apo punëtorët kanë vdekur, shkuar në pension, apo lëshuar vendin e punës. Ky është një problem i rëndë, qeveria e Serbisë e vazhdoi këtë masë ndaluese edhe për vitin 2019. Për të zgjidhur këtë problem përmes buxhetit të komunës ne po ndajmë mjete për të angazhuar kuadro plotësuese, jo se e kemi obligim por me të vetmen arsye që pacientëve me i sigurua personel shëndetësorë. Mirëpo edhe përkundër vullnetit tonë që ta ndihmojë këtë çështje ne jemi të kufizuar. Në bazë të Ligjit për marrëdhënien e punës, nuk mundesh që dikend ta mbash në marrëdhënie punë me kohë të caktuar më tepër se 24 muaj sepse tejkalimi i këtij afati dmth shkelje e dekretit qeveritar dhe personi që e bën këtë kryen vepër penale. Njerëzit që kanë nevojë për punësim nuk po e kuptojnë këtë ka edhe të atillë që e kuptojnë por, që si intereson u intereson vetëm çështja e vet. Megjithatë, komuna është në shërbim maksimal të qytetarit për të kryer punët nga kompetencat e veta që janë të lejuara me ligj e jo për të shkuar përtej ligjit sepse kjo sjellë pasoja edhe për komunë edhe për përgjegjësit.
Titulli.com: Një numër i madh i të rinjve po largohen nga vendi në mungesë te perspektivës dhe vendeve të punës. A keni bërë mjaftueshëm si qeverisje lokale në fushën e zhvillimit ekonomik dhe ku janë pengesat?
Kamberi:Mjerisht ashtu është. Kjo paraqet brengën më shqetësuese për të gjithë pa dallim. Nuk besojë se ka edhe një person të vetëm, pozitë apo opozitë për cilët kjo i pëlqen apo i konvenon. Se paku jo një person me logjikë dhe arsye të shëndoshë. Unë i përmenda masat të cilat po i ndërmerr komuna për të ndihmuar bujqësinë dhe biznesin lokal. E di që janë të pamjaftueshme dhe se nevojat janë shumë më të mëdha. Por, në këtë moment mundësitë e komunës janë këto. Mjerisht ne jemi në një kazan të një gjeopolitike rajonale. Zgjidhja e këtij problemi është e kushtëzuar pashmangshëm me zgjidhjen që pret rajoni i Ballkanit Perëndimorë. Stabiliteti politik, njohja e diplomave, zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i perspektivës për jetë janë problem që, me përmasat e veta, dalin mbi mundësitë e një vetë administrimi lokal. Mjerisht qeveria në Beograd ka uzurpuar asetet tona kryesore ekonomike (Banjën e Bujanocit, Gumoplastikën, fabrikën për përpunimin e mishit dhe gjithë kapacitetet ekonomike nga koha e socializmit). Për fat të keq privatizimi i tyre është në duart e qeverisë qendrore, komuna nuk ka kurrfarë kompetenca. Por, siç e thashë se rajoni është në një kazan gjeopolitik për të cilin po pritet zgjidhja. Nëse paralajmërimet janë të sakta, kjo zgjidhje do të vijë shpejt, me gjasë brenda këtij viti. Prandaj, kjo është edhe mundësi e re e cila do të japë një kthesë pozitive për komunën tonë. Kthesë kjo e cila do të shënojë nisjen e një procesi që do t’i ofronte shpresë gjithë popullatës e sidomos të rinjve tanë.