Të fundit

Kamberi i kundërpërgjigjet Vuçiqit, po bën shantazh me metafora të arrestimeve

Vazhdojnë “përplasjet” në distancë në mes të Presidentit Vuçiq dhe deputetit shqiptar Shaip Kamberi.

Kamberi i është kundërpërgjigjur reagimit të Vuçiqit i cili kishte deklaruar që fjalimi i Kamberit tregon se në Serbi mund të flitet gjithçka pavarësisht se kjo nuk është e vërtetë, pasi Vuçiq kontrollon pothuajse gjithçka në shtetin e tij. Sipas tij, serbët në Kosovë kur flasin gjëra të tilla arrestohen.

Kamberi përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare të FB’së, këtë reagim të Vuçiqit e cilësoi si një shantazh me metafora të arrestimeve, transmeton Ministria e Lajmeve.

Në vijim deklarata e plotë e deputetit shqiptar Shaip Kamberi:

Në vend se të më shantazhoi me metafora të arrestimeve, më mirë do të ishte që Presidenti Vuçiq t’i përgjigjet nevojave të shumta të qytetarëve në Serbi që varen nga vendimet e tij.

Si i gjithëpushtetshëm, ka mjaft mundësi për t’i realizuar premtimet e tij për një Serbi demokratike dhe të zhvilluar ekonomikisht

Se sa është demokratike Serbia e pushtetit të sotëm, mjafton ta shikosh përbërjen e parlamentit. Meqë Kosova qenka e tillë siç e përshkruajnë, pse atëherë Presidenti Vuçiq dhe Ana Bërnabiq trumbetojnë me vite se po e ndërtojnë pajtimin dhe paqen me Kosovën?

Politika e (keq)pëdorimit të serbëve të Kosovës për interesat e pushtetit në Beograd nuk i ka sjellur historikisht asnjë dobi serbëve në Kosovë. Nga jeta luksoze e Beogradit, lehtë është me luajtur patriotin serbomadh dhe me manipuluar me emocionet e serbëve të Kosovës, të cilët bashkëjetojnë me shqiptarët jo gjithëherë në kushte të lehta reciproke.

Sa I përket negacionit të Reçakut asgjë e re. Pjesë përbërëse e kësaj politike negacioniste dhe e mohimit të krimeve të luftës, e cila nuk i sjell asgjë të mirë rajonit, e aq më pak Serbisë.

Ky mohim dhe negacionizëm nuk i shërben pozitivisht para së gjithash serbëve të cilët jetojnë në Kosovë. Por, natyrisht se Presidenti Vuçiq e ka hallin te imazhi dhe pushteti i tij në Beograd, jo te interesat e serbëve që jetojnë në Ranillug, Shterpcë apo Leposaviq.