Kamberi: Është e qartë se Beogradi nuk i dëshiron shqiptarët në Kuvendin e Serbisë

Bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, deklaroi se pas disa zgjedhjeve të përsëritura në Tërnovc të Madh në komunën e Bujanocit është bërë e qartë se Beogradi nuk i do shqiptarët në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi tha se ka për qëllim që në këtë proces zgjedhor të “zbulojë aleancën” e Partisë Progresive Serbe (SNS), Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe institucioneve shtetërore.

Ai ka thënë se sa i përket Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës zgjedhjet do të përfundonin më 28 prill, por dikujt po i konvenon “vjedhja e mandatit të shqiptarëve”.

Sipas tij, zgjedhjet e përsëritura të 28 prillit, të rrëzuara me kundërshtimin e SPS-së, tregojnë se synimi i kësaj partie është t’i heqë mandatin shqiptarëve.

“Pse është i rëndësishëm për ta mandati i tridhjetë e dytë dhe ne nuk kemi nevojë për një të vetëm? Atyre nuk u intereson fare (një mandat), përveç nëse qëllimi përfundimtar është t’u heqin një mandat shqiptarëve. Nuk është e qartë pse një deputet shqiptar do të ishte një problem kaq i madh për parlamentin”, tha Kamberi.

Zgjedhjet parlamentare në Tërnovc të Madh të komunës së Bujanocit janë përsëritur dy herë deri më tani dhe Gjykata Administrative sërish e ka anuluar votimin dhe zgjedhjet do të përsëriten për herë të tretë.

Në zgjedhjet e ripërsëritura të 27 majit, në vendvotimin nr. 6 në shkollën fillore “Muharrem Kadri” në Tërnovc të Madh, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës mori 598 vota, që është 12 më pak se numri i nevojshëm për të fituar një mandat deputeti.