Kamberi: E domosdoshme përfshirja e Luginës në dialogun mes Kosovës e Serbisë
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se është e domosdoshme përfshirja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë. Ai ka vlerësuar se kjo është mundësia e vetme e mbetur për të bërë veprime konkrete për afirmimin e pozitës së shqiptarëve të kësaj pjese.
Kamberi ka thënë se përfaqësuesit politikë të Luginës janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim. “Kjo është mundësia e vetme e mbetur për të bërë veprime konkrete për afirmimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Besoj se qeveria e re në Prishtinë do ta ketë para sysh këtë kërkesë dhe nevojën e shqiptarëve të këtij rajoni. Deri më tani është kryetari i Këshillit Kombëtar që ka pasur takime me zyrtarë qeveritarë te të cilët ka adresuar këtë kërkesë”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka treguar se pret që kryeministri ta mbajë zotimin e tij për përfshirje të Luginës në këtë proces. “Këtë e shohim si mundësi të fundit për t’u bërë diçka më konkrete për Luginën e Preshevës. Prandaj, presim që zotimet e dhëna më herët të jenë shtytje për qeverinë aktuale për ta bërë një hap më konkret rreth përfshirjes në dialog të çështjes së Luginës së Preshevës”, ka thënë ai.
Në intervistë per Epoka e re ai ka përmendur kërkesat që shqiptarët e kësaj pjese kanë për këtë proces. “Përfshirja në dialog është esenciale. Mandej kërkesën për respektimin e ndërsjellë dhe të ndërtimit të parimeve të unisuara të respektimit të të drejtave të komuniteteve i shohim si elemente qenësore për përmirësimin e pozitës sonë. Reciprociteti në të drejta është mekanizëm i cili do ta detyronte Serbinë për trajtim të drejtë dhe të barabartë të të drejtave të shqiptarëve”, ka deklaruar Kamberi. Sipas tij, njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja më e mirë për dialogun ndemjet dy shteteve. “Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, dhe respektimi reciprok e i barabartë i të drejtave të komuniteteve, është parim që mund të ndihmojë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare e cila duhet të sjellë paqe afatgjatë jo vetëm në mes të shqiptarëve e serbëve, por do ta qetësonte në tërësi Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Kamberi.
-Kamberi, Qeveria e Kosovës ka filluar përgatitjet për vazhdimin e dialogut me Serbinë. A jeni konsultuar për këtë proces?
Kamberi: Ne kemi potencuar vazhdimisht domosdoshmërinë e përfshirjes së Luginës së Preshevës dhe të drejtave të shqiptarëve në dialogun e Kosovës me Serbinë. Kjo është mundësia e vetme e mbetur për të bërë veprime konkrete për afirmimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Besoj se qeveria e re në Prishtinë do ta ketë para sysh këtë kërkesë dhe nevojën e shqiptarëve të këtij rajoni. Deri më tani është kryetari i Këshillit Kombëtar që ka pasur takime me zyrtarë qeveritarë te të cilët ka adresuar këtë kërkesë. Unë ende nuk kam pasur takim me qeverinë e re. Natyrisht, edhe unë edhe përfaqësuesit e tjerë shqiptarë në Luginë janë të gatshëm për të bashkëpunuar me autoritetet në Prishtinë në këtë drejtim.
-Më herët kryeministri Kurti ka deklaruar se në procesin e dialogut me Serbinë duhet të përfshihen edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. A pritni që kjo do të ndodhë?
Kamberi: Këtë e shohim si mundësi të fundit për t’u bërë diçka më konkrete për Luginën e Preshevës. Prandaj, presim që zotimet e dhëna më herët të jenë shtytje për qeverinë aktuale për ta bërë një hap më konkret rreth përfshirjes në dialog të çështjes së Luginës së Preshevës.
-Nëse keni ftesë nga Qeveria e Kosovës për të qenë pjesë e këtij dialogu, a do të përfshiheni në delegacionin e Kosovës në këto bisedime?
Kamberi: Natyrisht është obligim yni ta japim kontributin maksimal në kuadër të kapaciteteve që kemi për të ndihmuar këtë ide. Përkundër faktit se në kemi tri marrëveshje me Beogradin, dhe jemi në një proces politik për gati dy dekada, mjerisht, gjithë këto përpjekje nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Prandaj edhe përfshirjen në dialog e shohim si mundësi për veprime konkrete për ta detyruar Beogradin që t’i respektojë të drejtat tona.
-Cilat janë kërkesat e shqiptareve të Luginës së Preshevës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi?
Kamberi: Përfshirja në dialog është esenciale. Mandej, kërkesën për respektimin e ndërsjellë dhe ndërtim të parimeve të unisuara të respektimit të të drejtave të komuniteteve i shohim si elementet qenësore për përmirësimin e pozitës sonë. Reciprociteti në të drejta është mekanizëm i cili do ta detyronte Serbinë për trajtim të drejtë dhe të barabartë të të drejtave të shqiptarëve.
“Epoka e re”: Cila mendoni se është zgjedhja më e mirë për Kosovën dhe shqiptarët e Luginës në procesin e dialogut?
Kamberi: Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, dhe respektimi reciprok e i barabartë i të drejtave të komuniteteve, është parim që mund të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare e cila duhet të sjellë paqe afatgjatë jo vetëm në mes të shqiptarëve e serbëve, por do ta qetësonte në tërësi Ballkanin Perëndimor