Të fundit

Kabineti i Sinanit i përgjigjet akuzave të Arifit

Kabineti i kryetarës së komunës Preshevës iu është përgjigjur akuzave të kreut të APN-së Shqiprim Arifit në lidhje me asfaltimin e një pjese të rrugës në fshatin Bushtran.

Reagimi i Kabinetit të Ardita Sinanit:

Të nderuar,

Sot në profilin e tij në facebook, kryetari i APN ka postuar një video, në të cilën paraqitet si inspektor komunal, në një rrugë kinse të shtruar nga Komuna e Preshevës në bashkësinë lokale në Bushtran.

Komuna e Preshevës për çdo projekt të filluar apo të përfunduar, me transparencë maksimale njofton qytetarët e saj. Andaj, përgënjeshtrojmë tentativën e rradhës së kryetarit të APN se Komuna e Preshevës ka asfaltuar rrugë në fshatin Bushtran, në të cilën ky i fundit gjen mangësitë e kualitetit të asfaltit.

E vërteta e këtij asfalti është se, një nga punëtorët e njërës nga ndërmarrjet e Preshevës i cili është nga fshati Bushtran, ka huazuar një sasi të vogël asfalti dhe me vetiniciativë të njejtin e ka përdorur për mbulimin e disa gropave në lagjen e tij.

E kuptojmë çdo tentativë të kryetarit të APN që të defokusojë vëmendjen nga sjelljet rrugaçërore në seancën e fundit të Kuvendit Komunal. Por, në të njejtën kohë e sigurojmë që me tentativa të tilla të shpifjeve të ulëta, nuk do t’ia arrijë qëllimit të tij.

Kabineti i Kryetares së Komunës