Shqipëri

“Janë fshehur viktimat e COVID”, Basha: Rama po manipulon provat

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një prononcim për mediat pas takimit me ministrin e Jashtëm Italian, Luiggi Di Maio i është rikthyer denoncimit të bërë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” për fshehje të numrit të viktimave të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Basha thekson se nuk duhet vënë në diskutim vërtetësia e denoncimit, pasi dokumentet janë siguruar nga një personel me integritet shëndetësor.

Sakaq kryedemokrati i ka bërë thirrje Prokurorisë që të shkojë sa më parë në morgun e Tiranës dhe të sekuestrojë provat, para se kryeministri Edi Rama t’i prishë ato.

“Kam bërë thirrje që Prokuroria të sekuestrojë provat në morgun e Tiranës. Lajmi është shokues. Denoncimi është i ardhur nga personel me integritet që nuk kam ndërmend ta publikoj këtu. Çfarë pret Prokuroria që nuk nis hetimin, që të manipulohen të dhënat?

Pse pret Edi Rama deri nesër për të dalë në konferencë për shtyp përveç se për të falsifikuar dokumentet. Shqipëria, vendi me spitale COVID pa pajisje, medikamente dhe mjete mbrojtëse për mjekët”, tha Basha.

Gjithashtu, kryedemokrati ka akuzuar kryeministrin se po bën politikë me vdekjen duke fshehur të dhënat e pandemisë.

“Rama bën politikë me vdekjen duke fshehur të dhënat reale të numrit të vdekjeve nga COVID. Detyra e një qeverie normale në pandemi është raportimi i numrit real të të sëmurëve dhe të vdekurve. Edi Rama të shkulet nga Instagrami dhe t’i përvishet punës konkrete në menaxhimin e krizës.

Ai që nuk lë minutën t’i ikë për të dalë në Instagram, është duke manipuluar provat. Nëse nuk ka testime, pajisje, medikamente dhe mjekë të trajnuar, spitalet janë pa asnjë vlerë. Edhe sa shqiptarë duhet të vdesin derisa Rama të marrë vendim të mos shpërdorojë buxhetin dhe të orientojë çdo shumë drejt përballimit të pandemisë?” tha Basha./Opinion.al