Ja cilat janë masat që kanë hyrë mbrëmë në fuqi në Zvicër
Me hyrjen në fuqi të vendimit për Gjendjen e Jashtëzakonshme, të shpallur dje nga Qeveria Federale, ndalohen praktikisht të gjitha aktivitetet publike dhe private.
Do të mbyllen: të gjitha dyqanet, tregjet, restorantet, baret si dhe objektet argëtuese dhe ato për kohë të lirë si muzetë, bibliotekat, kinematë, sallat e koncerteve dhe shtëpitë e teatrit, qendrat sportive, pishinat dhe zonat e skive, shkruan srf.ch.
Po ashtu do të mbyllen edhe të gjitha bizneset në të cilat nuk mund të respektohet rregulli i mbajtjes së distancës, siç janë sallonet e flokëve apo studiot kozmetike, transmeton albinfo.ch.
Nga ana tjetër, sipas qeverisë është siguruar furnizimi i të gjithë popullatës me ushqim, ilaçe dhe mallra të përdorimit të përditshëm, janë krijuar rezerva të mjaftueshme.
Qëndrojnë të hapura:
Dyqanet ushqimore, lokalet take away, kantinat e ndërmarrjeve, shërbimet që dërgojnë ushqimet te klientët dhe barnatoret. Po ashtu do të mbeten të hapura: pompat e benzinës, stacionet e trenave, bankat, zyrat postare, hotelet, administrata publike dhe institucionet sociale.
Punëtoritë ku rregullohen mjetet e transportit gjithashtu mund të mbeten të hapura, përcjell albinfo.ch. Por të gjitha këto institucione duhet tu përmbahen rekomandimeve të Zyrës Federale të Shëndetit Publik në lidhje me mbajtjen e distancës dhe higjenën.
Spitalet, klinikat dhe ordinancat e mjekëve mbeten të hapura, por duhet të shmangin ndërhyrjet mjekësore dhe terapitë që nuk janë urgjente.