Lajme

Ivan Todosijeviq arratiset nga Kosova

Një qeli në burgun e Mitrovicës është rezervuar për Ivan Todosijeviq. Por deputeti i Kuvendit e ish ministri i pushtetit lokal, nuk do të paraqitet në burg më 6 tetor në ora 12, kur është afati i fundit që ndaj tij të nis ekzekutimi i dënimit me burgim prej 2 vjetësh. Klan Kosova merr vesh se Todosijeviq është arratisur nga Kosova.

Këtë e konfirmojnë edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga ku me 17 shtator, serbit i shkoi ftesa për t’u paraqitur në gjykatë.

“Ju njoftojmë se procedura për ekzekutim të sanksionit penal ndaj të dënuarit I.T. është në procedurë e sipër. Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar njoftimin nga avokati mbrojtës i të dënuarit I.T., se i njëjti ka udhëtuar jashtë vendit dhe ka kërkuar shtyrje të afatit për paraqitje në vuajtje të dënimit me burg.” – thuhet në një përgjigje të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndonëse ka bërë kërkesë në gjykatë, avokati i Todosijeviq, Nebojsha Vlajiq të martën i tha Klanit përmes telefonit se akoma nuk kanë pranuar thirrje për t’u paraqitur në burg.

Vlajiqin e përgënjeshtroi para pak ditësh vetë shefi i zyrës serbe për Kosovën në Serbi Petar Petkoviq, i cili më 24 shtator para gazetarëve tregoi se Todosijeviqi ka marrë ftesë të tillë.
E arsyeja që Vlajiq ka përdorur, që Tososijeviqi ndodhet jashtë shtetit nuk është në listën e arsyeve që sipas ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, një i dënuar mund t’i përdorë për të kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit.

Todosijeviq u dënua pasi e quajti trillim masakrën e Reçakut. Veç Themelores, 2 vjetët me burg ia konfirmoi këtë Gusht edhe Gjykata e Apelit.
Një ditë pasi doli vendimi i marrë nga 2 gjyqtarë shqiptar e 1 serb, gjyqtarët serb në veri protestuan duke e ndalur punën, ndërkaq presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar protesta në rast se Ivan Todosijeviq arrestohet