Itali/ Shkon në 7 numri i viktimave nga koronavirusi
Një tjetër person i prekur nga koronavirusi ka ndërruar jetë në Itali, duke e çuar në 7 numrin e viktimave atje.
Viktima e fundit është një 62-vjeçare nga Como. Ajo vdiq në orën 18.30. Pacientja e transferuar nga zona e Lodi në spitalin Sant’Anna në Como gjatë fundjavës ishte diagnostikuar me sëmundje kronike.
172 raste të infeksionit janë gjetur në Lombardi, 32 në Veneto, 18 në Emilia Romagna, katër në Piemonte dhe tre në Lazio duke e çuar gjithsej në 229 numrin e rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Itali.
Italia renditet e treta mes vatrave kryesore të virusit në botë, pas Kinës dhe Koresë së Jugut.
Masat e ndërmarra nga autoritetet, për të vënë nën kontroll epideminë, përfshijnë 50 mijë persona, ndërsa 11 komuna janë në karantinë. Postblloqe rrugore janë vendosur në hyrje të 10 qytezave të Lodinjanos dhe në rrugët që cojnë për në zonën e kuqe kanë nisur procedurat e filtrimit ku forcat e rendit paralajmërojnë shoferët se nëse vendosin të hyjnë, nuk do të kenë më mundësinë të dalin deri në një urdhër të dytë.
Po ashtu, për shkak të situatës alarmante janë ndaluar taksat, faturat dhe hipotekat për ata që jetojnë në zonën e karantinës. Ndërkaq, qytetarët janë përfshirë nga paniku dhe kanë mësyrë supermarketet, të cilat thuajse janë zbrazur./opinion.al