Itali: Përurohet busti i Skënderbeut dhe abetarja arbëreshe
Në komunën Chieuti të Italisë sot është inaguruar busti i heroit Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. E komuniteti arbëresh e priti “Skenderbeun” me veshje kombëtare e flamuj shqiptarë e italianë, shkruan albinfo.ch.
E po ashtu, në këtë ditë u përurua edhe botimi i Abetares në gjuhën arbëreshe nga studiuesi Mario Massaro në bashkëpunim me Ariana Balluku.
Gjatë kësaj ceremonie, nuk munguan as këngët e vallet me motive arbëreshe.
Nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, po ashtu kanë njoftuar se në këtë ceremoni mori pjesë edhe drejtorja e AKD-së, Etleva Kondi.
Ajo përgëzoi punën e komunitetit arbëresh për të ruajtur vlerat kombëtare tek brezat e rinj, përcjell albinfo.ch.
Komuniteti arbëresh në këtë komunë është formuar qysh nga shekulli XV, sipas AKD-së.