Lajme

Ish-ambasadori holandez “godet” sërish Serbinë: Pa i pranuar krimet e luftës, nuk ka kompromis me Kosovën

Ish-ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë Robert Bosch, ka komentuar për draftin e marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, të publikuar ditë më parë në mediat vendore.

Ai ka thënë se marrëveshja e mundshme lë shumë për të dëshiruar.

Bosch ndër të tjera, ka theksuar se Serbia duhet të pranojë të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, nëse Serbia nuk e bën këtë gjë, edhe Kosova ka të drejtë të mos merret fare me Serbinë.

Ndërkaq, Rezolutën 1244, ish-ambasadori holandez, e ka quajtur “gabim dhe të padrejtë” që nga fillimi.

“Serbia duhet ta kuptojë se pa i pranuar të gjitha krimet e tyre të viteve të nëntëdhjeta, është e logjikshme që Kosova të mos merret fare me Serbinë. 1244 ishte gabim që nga fillimi, e padrejtë dhe ka treguar mungesë të të kuptuarit të KS të OKB-së”, ka thënë ai.

Sipas Bosch, nuk ka arsye për kompromise të mëtejshme, pasi siç ka thënë ai, Beogradi refuzoi planin e Ahtisarit që u jepte serbëve të drejta të mëdha dhe tani dëshiron edhe më shumë akoma.

Ai ka pyetur se pse Kosova duhet të japë edhe më shumë në këmbim të marrëveshjes.

“Nuk ka arsye për ndonjë kompromis të mëtejshëm. Plani i Ahtisarit ishte larg kompromisit, pasi u jepte serbëve të drejta të mëdha, por Beogradi refuzoi dhe tani dëshiron akoma më shumë, pse duhet të japë edhe më shumë Kosova?”, ka deklaruar Robert Bosch.

Bazuar në dratf marrëveshjen e cila është bërë publike në rrjetet sociale në Kosovë, Mitrovica fiton statusin e një qyteti të lirë, ndërsa kompleksi i minierave të Trepçës, i cili vlerësohet të ketë rreth 500 miliardë euro të burimeve natyrore, fiton një status të veçantë.

Komuna e Preshevës, e cila është në jug të Serbisë, do të bashkohet tërësisht me Kosovën. Komuna e Bujanocit merr statusin e një rrethi të veçantë. Sipas draft marrëveshjes, ky qytet do të ketë një këshill prej 3 anëtarësh dhe një asamble prej 30 anëtarësh. Buxheti i këtij qyteti do të financohet nga Serbia, Kosova dhe BE-ja. Qyteti gjithashtu merr statusin e një zone tatimore të lirë.

Baza ushtarake “JUG” në Cepotine bëhet një bazë amerikane, megjithatë, ajo do të jetë e përzier. Kjo bazë do të ketë 1700 ushtarë. 50% e tyre do të jenë serbë dhe 50% do të jenë shqiptarë që do të kenë statusin këshillues civil. Ky korridor do të mbrohet nga NATO për një periudhë deri në 15 vjet, ndërsa të gjitha palët do të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm në të, shkruan Ibna.

75% e rrjetit elektrik do t’i përkasë Kosovës dhe 25% do t’i përkasë Serbisë për shkak të ndërlidhjes. Sektori i energjisë do të administrohet nga SHBA, Austria dhe Gjermania.

Patriarkana e Pejës dhe kishat serbe në Kosovë do të marrin një status ekstra territorial në Kosovë.

Kjo marrëveshje pritet të garantohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB, BE dhe NATO. Marrëveshja pritet të përfundojë deri më 15 maj 2019. Marrëveshja përfundimtare pritet të nënshkruhet nga 28 qershori deri më 13 korrik 2019. Deri në tetor 2019, parlamentet e të dy vendeve pritet të ratifikojnë marrëveshjen dhe të ndryshojnë kushtetutat e tyre. Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshjeje fillon më 1 nëntor 2019.