Lajme

Isa Mustafa sulmon ashpër PDK-në, pas videos që ata publikuan për Vjosa Osmanin

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i ka dalë në mbrojtje kandidates për kryeministre nga partia e tij, Vjosa Osmani, pas një videoje që disa faqe të PDK-së e kishin shpërndarë në Facebook, ku thuhet se, një kushëri i burrit të Vjosa Osmanit, ka lidhje të ngushta me serbët.

Mustafa në Facebook ka shkruar se ka filluar keq kjo fushatë, ndërsa bën thirrje që të garojnë me mjete demokratike.

Ai thotë se çdonjërit do t’i vjen koha dhe momenti të jap përgjegjësi.

Postimi i plotë:

Ka filluar keq!
Mos veproni me mjete te ulëta, e mos u shërbeni me gënjeshtra e montime kundër znj. Vjosa Osmani, kandidate për Kryeministre nga LDK.
Nëse keni kurajo, garoni me mjete demokratike, mos shpenzoni para për ekspertë e prodhues të gënjeshtrave nga vendet e tjera.
Gara jonë duhet të jetë garë fer, demokratike, e argumentuar dhe jo fushate e militantëve që shpërndajnë akuza e gënjeshtra të rrezikshme për kandidaten tonë dhe të dëmshme për vendin.
Nuk e luftojnë korrupsionin ata që shpërndajnë lajme korruptive; nuk e luftojnë korrupsionin ata që kanë para të vjedhura për të paguar ekspertë të gënjeshtrave.
Nuk e luftojnë korrupsionin ata që ushtrojnë ndikim te organet e drejtësisë për të hapur procese gjyqësore për njerëzit e kundërshtarëve politik në kohën kur fillon procesi zgjedhor. Këtë e bën vetëm shteti i kapur dhe kapësit e shtetit. Por, çdonjërit do ti vjen koha dhe momenti të japë përgjegjësi.