Teknologji

Instagrami nën hetimin e BE-së mbi trajtimin e të dhënave personale të fëmijëve

Instagrami po hetohet nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave në Irlandë (DPC) lidhur me trajtimin e të dhënave personale të fëmijëve që po u bëhet nga platforma.

Rrjeti social mund të përballet me një gjobë të majmë nëse provohet se ka shkelur ligjet për privatësi.

Hetimet vijnë pas ankesave të përdoruesve se Instagrami kishte bërë të dukshme për këdo që përdor aplikacionin, informacione të të miturve.

Një numër i madh i gjigantëve të teknologjisë kanë zyrat qendore në Irlandë, teksa DPC është udhëheqëse e Bashkimit Evropian si rregullator nën Rregulloren për Mbrojtjen e të Dhënave, transmeton KOHA. DPC-ja është përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të individëve në platformat online dhe është në fuqi të saj të vëjë gjoba.

Rregullatori irlandez po heton nëse Facebooku ka bazë ligjore për dhënien e të dhënave personale të fëmijëve dhe nëse përdor mbrojtje dhe kufizime adekuate në Instagram për fëmijët, raporton BBC.

Rrjeti për shpërndarjen e fotove dhe videove lejon qasjen në llogari për përdoruesit nga mosha 13 vjeç.

“Instagrami është platformë e cila përdoret gjerësisht nga fëmijët në Irlandë dhe përreth Evropës”, ka thënë Graham Doyle nga DPC.

“DPC-ja vazhdimisht ka monitoruar ankesat nga individë për këtë çështje dhe ka identifikuar shqetësime potenciale në lidhje me lëshimin e të dhënave personale të fëmijëve në Instagram, gjë që kërkon hetim të mëtutjeshëm”, ka thënë ai.