Bota

Indonezia e bën marrëdhënien seksuale jashtë martese të dënueshme me burg

Parlamenti i Indonezisë pritet të miratojë një kod të ri penal që do të penalizojë marrëdhëniet seksuale jashtë martesës, me një dënim deri në një vit burg.

Rishikimi legjislativ do të ndalojë gjithashtu fyerjen e presidentit ose institucioneve shtetërore dhe shprehjen e çdo pikëpamjeje në kundërshtim me ideologjinë shtetërore të Indonezisë. Ndalohet edhe bashkëjetesa para martesës.

Prej dekadash në shqyrtim, kodi i ri penal pritet të miratohet më 15 dhjetor, tha për Reuters zëvendësministri i drejtësisë i Indonezisë, Edward Omar Sharif Hiariej.

Ne jemi krenarë që kemi një kod penal që është në përputhje me vlerat indoneziane”, tha ai.

Drafti ka mbështetjen e disa grupeve islamike në një vend ku konservatorizmi është në rritje, megjithëse kundërshtarët argumentojnë se ai anulon reformat liberale të miratuara pas rënies së liderit autoritar Suharto në vitin 1998.

Një draft i mëparshëm i kodit ishte caktuar të miratohej në vitin 2019, por shkaktoi protesta mbarëkombëtare. Dhjetëra mijëra njerëz demonstruan në atë kohë kundër një sërë ligjesh, veçanërisht atyre që konsideroheshin se rregullonin moralin dhe fjalën e lirë, të cilat ata thanë se do të kufizonin liritë civile.

Disa ndryshime që janë bërë përfshijnë një dispozitë që mund të lejojë që dënimi me vdekje të zëvendësohet me burgim të përjetshëm pas 10 vjetësh sjellje të mirë.

Kriminalizimi i abortit, me përjashtim të viktimave të përdhunimit, dhe dënimi me burg për “magji të zezë”, mbeten në kod.

Sipas draftit, marrëdhëniet jashtë martese, e cila mund të raportohet vetëm nga palë të kufizuara si të afërmit e ngushtë, mbart një dënim maksimal prej një viti.

Fyerja e presidentit, një akuzë që mund të raportohet vetëm nga presidenti, zgjat maksimumi tre vjet.