Të fundit

Incident i pazakontë në Parlamentin serb, ministres Mihajloviq i “dhurohen” një palë të brendshme!

Të Mërkurën, 29 Janar, një incident i pazakontë ndodhi në Parlamentin serb, ku pati përplasje midis Radikalëve dhe zv. Kryeministres dhe njëherit Ministres e ndërtimit, transportit dhe infrastrukturës-Zorana Mihajloviq, ku seanca rifilloi vetëm pas dy pauzave dhe tre qortimeve, raporton Ministria e Lajmeve.

Pushimi i parë prej dhjetë minutash u njoftua për të rivendosur rendin pas një përplasjeje midis deputetes së Partisë Radikale Serbe Vjerica Radeta dhe Ministres Zorana Mihajloviq, pasi një anëtare e kabinetit qeveritar gjatë fjalimit të deputetes, shfaqi një banderolë ku thuhej “një gënjeshtër e radikalëve”.

Radeta i kërkoi kryesuesit që t’i dëbonte nga salla “siç ishin dëbuar më parë disa prej tyre që bartnin banderola “, ndërsa kryesuesi i kuvendit vendosi një pauzë.

Konflikti filloi kur Radeta, duke folur për mos ekzistimin e kalimit hekurudhor, ku trembëdhjetë njerëz kishin humbur jetën deri më tani, iu drejtua ministres, duke thënë “Si nuk ju vjen turp hajdute mashtruese!”, raporton Ministria e lajmeve.

Ministrja Mihajloviq u përgjigj ashpër ku tha se radikalët “gënjejnë çdo ditë”, janë të paarsimuar, dhe se “kjo është një gënjeshtër që ata thonin me ditë, muaj dhe vite”.

Ajo më tej tha se “ju po gënjeni sepse nuk ka asnjë letër apo ofertë që një kompani kineze ofroi një çmim më të ulët për Korridorin e Moravës, kështu që ju gënjeni se kam marrë 300 milion , ju gënjeni se unë jam spiun, Amerikan apo Britanik, dhe qytetarët e kanë dëgjuar me vite të tëra”.

Ju mund të më sulmoni, unë nuk do t’i përgjigjem më gënjeshtrave tuaja. Vazhdoni, ju e bëtë atë 20 vjet më parë, duke nxjerrë armën studentëve, për mua historia me ju ka mbaruar!”, tha Mihajloviq.

Pas 10 minutash seanca përsëri u ndërpre pasi që deputeti tjetër radikal, Milorad Mrçiq tha se sepse ministrja ishte “e njohur për shpenzimin e parave të shtetit për sendet personale”, dhe partia radikale “përgatiti një dhuratë”.

Kështu Mrçiq nxorri nga çanta e tij një palë të brendshme për ministren, për të cilin gjest mori një vërejtje nga kryesuesi i Kuvendit, Arsiq, dhe dy vërejtje të tjera u bënë për deputeten e Partisë Radikale Ruzhica Nikoliq, e cila, megjithë vërejtjen, iu afrua prap ministres dhe i solli asaj këtë “dhuratë”./ministrialajmeve.com