Lajme

Ibrahimi: Asociacioni nuk e heq Serbinë nga Kosova, shkëmbimi i territoreve është zgjidhja më e mirë

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë se zhvillimet e fundit në botë tregojnë se Kosova duhet të arrijë sa më parë një marrëveshje finale me Serbinë.

Megjithatë Ibrahimi thotë se për këtë marrëveshje, zgjidhja më e mirë është shkëmbimi i territoreve, pasi një gjë e tillë thekson se do ta largonte një herë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova.

Sipas tij, Asociacioni nuk e bën një gjë të tillë, prandaj thotë se klasa politike kosovare duhet të gjejë guximin dhe ta vendos idenë e shkëmbimit në tavolinë, siç e kishte bërë ish-presidenti Thaçi në vitin 2018.

“Zhvillimet e fundit në botë e tregojnë edhe më shkoqur rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Ajo marrëveshje duhet të heq një herë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova. Asociacioni nuk e bën këtë, prandaj shkëmbimi i territoreve është zgjidhja më e mirë. Klasa politike kosovare aktuale duhet ta gjej guximin, sikur e kishte gjetur klasa politike në vitin 2018, dhe ta vendos këtë opsion në tavolinë”, ka shkruar Ibrahimi.

Ditë më parë lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve kanë folur edhe zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët kanë thënë se në vend të Asociacionit do të ishte më mirë të shkëmbeheshin territoret.