Bota

I urryeri nga BE’ja: Boris Johnson kandidat favorit për kryeministër të Britanisë

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, do të përballet me politikanin, Boris Johnson në garën për kryetar të Partisë Konservatore, çka nënkupton edhe marrjen e pozitës së kryeministrit të shtetit.


Boris Johnson, që konsiderohet kandidati kryesor në këtë garë, ka fituar 160 vota, në krahasim me Hunt që ka fituar 77 vota tjera. Të dy do të synojnë fitoren pasi të mbahet një tjetër raund i votimeve ndërsa emri i fituesit do të bëhet i ditur më 22 korrik.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Gove ka përgëzuar kundërshtarët e tij dhe ka thënë se “është i zhgënjyer mirëpo krenar për fushatën që ka drejtuar”. Në raundin e pestë të votimeve, Ministri britanik i Mjedisit, Micheal Gove, është eliminuar nga gara pasi ka fituar vetëm 75 vota.

Ish-ministri Johnson ka thënë se ai është shumë i lumtur për përkrahjen që gëzon. Ai dhe Michael Gove kishin bërë fushatë së bashku për largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE’ja.

Boris Johnson, figurë kontroverse politike në Britani, është kandidati më i padëshiruar për BE’në. Në samitin kur u vendos për shtyrjen e afatit të largimit, Presidenti Macron kishte kërkuar garanci shtesë nga britanikët në rast të zgjedhjes së mundshme të Boris Johnson në krye të qeverisë britanike.

Ky proces po realizohet pasi Theresa May, ka njoftuar se më 7 qershor se do të largohet nga pozita e liderit të kësaj partie duke i hapur rrugën procesit të zgjedhjes së kryeministrit të ri.

Kryeministrja britanike, Theresa May, është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik, tre herë.

Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit, me apo pa një marrëveshje me BE’në.

Vendimi për BREXIT ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve në referendum kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE’ja, afërsisht 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.