Të fundit

I refuzohet punësimi në polici Ahmet Beqirit, reagon Kamberi dhe Sinani

I riu nga Presheva Ahmet Beqiri edhe pse ka përfunduar studimet master dhe specializimin në Akademinë e Kriminalistikës në Beograd, ai edhe pse i plotëson të gjitha kushtet po refuzohet që të pranohet në punë në stacionin policor në Preshevë

Ahmeti është kuadri më i arsimuar në sferën e sigurisë në komunën e Preshevës pasi që ka mbaruar masterin në Akademinë e Kriminalistikës por ai nuk po pranohet në punë, gjë që ka shkaktuar reagimin e deputetit popullor dhe kryetarit të PVD-së Shaip Kamberit dhe këshilltares së kryeministrit Kurti, Ardita Sinani.

“Se Serbia në mënyrë konsistente dhe në çdo sferë të jetës shkelë drastikisht të drejtat elementare të shqiptarëve në Luginë, e dëshmon edhe rasti i fundit në stacionin policor të Preshevës.
Ahmet Beqiri, është i riu i vetëm shqiptar nga Presheva që i ka të përfunduara studimet bazë, studimet master dhe specializimin në Akademinë e Kriminalistikës në Beograd” thuhet në reagimin e Ardita Sinanit.

Ajo ka bërë të ditur se “ka mbi një muaj që Ahmeti, i cili plotëson çdo kriter që kërkohet për punësim në stacionin policor të Preshevës, refuzohet nga i njejti me arsyetimin që “për momentin nuk kemi nevojë për punëtor”, e në anën tjetër në dy javët e fundit në stacionet tjera policore janë pranuar 162 polic të rinj” 

Sinani më tej në reagimin e saj thot se “Ahmet Beqiri, për kohën sa kishte punuar në stacionin policor të Preshevës me kontratë në afat të caktuar si referent, kishte vlerësimin e popullatës shqiptare në Preshevë”.

Këshilltarja e Kryeministrit Kurti ka bërë të ditur me shifra për disproporcionin me përqindjen etnike të punësuarve në policinë e Preshevës

“Në Preshevë, nga numri total prej 248 pjesëtarëve të policisë në stacionin policor, vetëm 125 janë të përkatësisë etnike shqiptare, që është në disproporcion flagrant me përqindjen e popullësisë në Komunë të Preshevës” ka përfunduar reagimin e saj Ardita Sinani

Edhe deputeti popullor Shaip Kamberi ka ngritur zërin rreth rastit të Ahmet Beqirit

Në reagimin e Kamberi thuhet
:

I vlerësuar nga popullata, i kualifikuar në profesion e i padëshiruar në institucione.
Ahmet Beqiri, i riu i vetëm shqiptar nga Presheva që i ka të përfunduara studimet bazë, studimet master dhe specializimin në Akademinë e Kriminalistikës në Beograd.
Por për shtetin e organet e saja, si duket, nuk mjaftojnë as kualifikimet profesionale e as elani e vullneti për punën.
Dyert e institucioneve e organeve shtetërore po mbyllen gjithnjë e më shumë për shqiptarët e Luginës.
Mjekët e diskriminuar dje e Ahmeti i papërfillur sot do të jenë pjesë e mozaikut i cili më së miri shpërfaqë diskriminimin që po vazhdon t’i bëhet shqiptarëve.
Heshtja legjitimon veprimet. Ngritja e zërit për këtë mbetet opsioni i vetëm i yni.