LajmeTë fundit

“Narcotica” në Rai Tre, bandat shqiptare qarkullojnë 3 miliardë euro në vit para droge

Kjo është shuma që qarkullohet në Shqipëri nga aktiviteti kriminal i trafikimit të drogës nga vendi ynë për në shtete të ndryshme të Europës. Evidentimi vjen nga cikli i reportazheve “Narcotica” në televizionin italian Rai Tre.

Duke marrë shkas nga efikasiteti i ulët në luftimin e kultivimit të drogës, policia italiane duket se ka marrë në dorë evidentimin e plantacioneve me kanabis në vendin tonë dhe angazhon policinë shqiptare që të ndërhyjë për eliminimin e tyre.

Karabinieri Massimiliano D’angelantonio bën me dije se shqiptarët kanë celula kriminale jo vetëm në të gjithë Europën, por edhe në Amerikën e Jugut. E ndërsa arrestimet vazhdojnë, Adriatiku mbetet akoma një autostradë droge.

“Jo vetëm arrin marijuanë nga Kanali i Otrantos për në Itali, vitin e kaluar sekuestruam 9 ton në vetëm një ngarkesë, por gjithashtu trafikohet edhe kokainë, e cila merret nga trafikantët shqiptarë në Amerikën Latine”, tha Nicola Grateri, prokuror në Catanzaro.

Prokurori italian Francesco Mandoi në ciklin e reportazheve “Narcotica” zbulon dhe një ëndërr të parealizuar të trafikantëve shqiptarë të drogës.

“Shqiptarët mendonin seriozisht që të përdoronin një bazë nëndetësesh që nuk përdorej nga marina shqiptare, për të vendosur në funksion një mini-nëndetëse, e cila do të arrinte peshkarexhën apo anijen që transportonte kokainë në Mesdhe. Më pas ta transferonin kokainën në nëndetëse e që më pas të ktheheshin sërish në Porto Palermo”, tha Francesco Mandoi, prokuror. Gazetarët e Rai Tre theksojnë se në atë kohë në Kolumbi u sekuestruan rreth 14 ton kokainë, destinacioni i të cilave ishte pikërisht Shqipëria. Transporti do të ndodhte me nëndetëse, por operacioni “Journey” bëri që kjo tentativë të dështonte.