I dyshuar për mbytjen e 17- vjeçares në Velipojë, jepet vendimi për Indrit Bajraktarin
Indrit Bajraktari, personi i fundit me të cilin dyshohet të ketë pasur kontakt Enisa Doda përpara se të humbte jetën, është lënë në burg nga gjykata.
25-vjeçari mori masën e sigurisë lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Velipojë.
Kujtojmë këtu se Indrit Bajraktari u vu në pranga nga policia pas vdekjes së 17-vjeçares Enisa Doda në plazhin e Velipojës.
Dy të rinjtë kishin marrë me qira një motor uji rreth orës 14:00 të pasdites së mërkurës. Sipas policisë Bajraktari ka dalë nga deti pa vajzën dhe pa motorin e ujit.
Adoleshentja u gjend pa shenja jeta disa qindra metra nga bregu.
Lidhur me ngjarjen, Bajraktari u tha uniformave blu se vajzën e kishte lënë në breg pranë xhaxhait të saj.
17-vjeçarja nga Burreli që jetonte në Bathore kishte ardhur me pushime në Velipojë bashkë me familjen e saj. Ndërsa 25-vjeçari nga Postriba ishte emigrant në Londër dhe kishte ardhur në Shqipëri për pushime.
Dy të rinjtë dyshohet se ishin njohur në rrjetet sociale. /abc