Hyseni: Ripërcaktimi i kufijve, zgjidhja më e mirë e problemit me Serbinë
Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate ka deklaruar se ripërcaktimi i kufijve është skenari më i mirë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes me Serbinë.
Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së të enjten se kjo zgjidhje do të çonte edhe në ndryshimin e kushtetutave të Kosovës dhe të Serbisë, derisa theksoi se Serbia s’e ka në plan ta njohë Kosovën.
“Do të zbatohet Asociacioni, e s’do të ketë njohje. Kjo i bie se marrëdhëniet ndëretnike do të mbesin të tensionuara. Si do të matet suksesi i zgjidhjes eventuale politike. Problemi i parë me planin franko-gjerman është se po thuhet se Serbia po i ikën një plani, që mund të jetë i mirë për neve. Njohje klasike formale me notë verbale prej Serbisë s’ka, as ulëse në OKB s’ka”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij, Qeveria do të duhej ta publikonte planin franko-gjerman, derisa dialogun e quajti jotransparent.
“Indikacionet janë që Asociacioni po shkon drejt territorializimit. S’do të flitet për serbët e Kosovës, por për autonominë e veriut. Të dyja janë të dëmshme në mënyrat e tyre. Po shkojmë drejt dimensionit të territorializimit. Këtij i kanë dhënë argument zhvillimet e fundit”, ka thënë ai.
Zyrtari i PSD-së ka theksuar se nëse do të kishte sërish konflikt, Kosova dhe Serbia do të ishin njësoj përgjegjëse.
Nëse ka konflikt, përgjegjësi për paqen kemi edhe ne, aq sa Serbia. Ne kemi përgjegjësi sa Serbia për paqen në rajon. Nuk mund të bëjmë viktimën sepse nuk jemi të pushtuar më. E di si është Serbia, por përgjegjësia jonë është e jona. Duhet përpjekje për zgjidhje politike me Serbinë… Nuk ka ndryshuar diçka prejse ka edhe prani administrative të faktorit ndërkombëtar. Ne dallojmë nga një lloj frike se Kurti do të këmbëngulë dhe do të na prishë me krejt botën. Ky lloj qëndrimi është mbi presupozimin se ai nuk nënshkruan dhe e lë pushtetin. Situata me Grenellin s’do të përsëritet, nuk e lëshon Kurti më pushtetin. Lufta do të jetë ta bindë publikun se si ky është koncesion. Edhe diskursi bolshevik se cilin do kompromis që e bën, në fund ia arsyeton vetes se sikur të mos e bëja unë, do të bëhej diçka më keq”, ka deklaruar Hyseni.