Hyseni: Kurti po beson se është i zbrituri nga qielli, këtë sjellje s’e duron ky ambient politik
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni të KTV-së ka pasur kritika të shumta kundrejt Vetëvendosjes dhe kreut të saj Albin Kurti, mandatarit për kryeministër të Kosovës.
Sipas tij Vetëvendosje po synon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Vetëvendosje e ka gabim nëse mendon se mund ta nëpërkëmbë LDK-në. Nëse Kurti nuk bëhet kryeministër LDK-ja do të përçahet, e kjo është qesharake, ndjellakeqëse dhe monstruoze. Është njësoj sikur të synosh miqësi dhe t’ia duash të keqen. Nëse duam të vijmë në një përfundim të saktë dhe të paanshëm. Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve, ajo është e lirë të presë ose të mos presë. Dhe ajo nuk është duke pritë. Po do t’i shterë të gjitha procedurat, dhe kam bindjen se me këto veprime Vetëvendosje synon zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Hyseni.
Ai ka shtuar se Vetëvendosje nuk e ka problem punën e kryeparlamentarit, derisa thotë se LDK-ja nuk është aspak përgjegjëse për situatën e krijuar.
E Hyseni ka thënë se Osmani e ka lutur Kurtin që të shtyjë seancën për konstituimin e Kuvendit.
“Nëse Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të votonte kryeparlamentarin dhe do të bllokonte konstituimin e Kuvendit. LDK-ja aspak nuk është përgjegjëse. E kemi votuar duke menduar se në atë moment që VV-ja njëanshëm vendos, atëherë ka hequr dorë për LDK-në si partner. E di sigurt se Osmani e ka lutur Albin Kurtin që ta shtyjë një javë konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Hyseni. “3-4 orë para mbledhjes së Kuvendit kemi analizuar situatat. Ata mund ta propozojnë dikë për kryeparlamentar, dhe nëse ndodh atëherë në opinion ne s’mund të shihemi si parti që i bllokojmë institucionet”.
Hyseni thotë se Vetëvendosje s’ka mundur të propozojë një kandidat nga LDK-ja, pasi nuk kishte marrëveshje.
“Si mund të kandidosh një kandidat tonin nëse s’kemi marrëveshje paraprake. Marrëveshja duhet të jetë komplete, nuk duhet të jetë parciale. E pikërisht këto janë lojërat e VV-së, me qëllim manipulimi e keqpërdorimi. Nuk mund t’i diktojë politikat kadrovike të LDK-së, Vetëvendosje. Një koalicion ndërtohet në mirëbesim dhe synohet partneritet. Nuk guxon të ketë koalicion ndërmjet VV-së dhe LDK-së si dy parti konkurruese. Vetëvendosje asnjëherë nuk ka thënë se juve iu takon kryeparlamentari si pako, por e ka thënë se parciale. Pako komplete do të duhej të ishte marrëveshje para se të shkohej para çdo votimi”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij VV-ja ka demonstruar me çdo veprim se nuk synon partneritet në koalicion me LDK, por e sheh si kundërshtare politike.
Hyseni thotë se VV-ja mund t’i ketë 50 propozime, por secili ka qenë më i keq se tjetri.
Ai gjithashtu ka kritikuar sjelljen e Kurtit, duke thënë se ai po beson se është i zbrituri nga qielli.
“E sidomos ai për rritjen e ministrive, që ka synuar të i thotë LDK-së se po do shumë pushtet. Ky fitues i zgjedhjeve i ka 12.8 për qind. E nuk mund të sillesh si mbret dhe të besosh se je i tillë. Përshtypja ime është se Kurti po beson se është i zbrituri nga qielli dhe me 12.8 për qind mund të abuzojë si të do. Këtë e them pa asnjë keqadashje. Ky ambient politik nuk duron sjellje egocentrike. Ky sistem duron mirëkuptim e konsensus të pafund”, ka thënë Hyseni.