Hoti: Sot Kurti nuk e ka shkarkuar Veliun, por veten e tij
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu nga ana e kryeministrit Albin Kurti.
Hoti thotë se me një veprim të tillë Kurti e ka shkarkuar veten, jo Veliun.
“Vëmendja jonë ka qenë dhe është tek menaxhimi i situatës, jo tek lojërat politike. Vendim i Kurtit tregon mungesë totale të përgjegjësisë institucionale dhe ndjeshmërisë ndaj situatës nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri, por edhe të mungesës së etikës në bashkëpunim me partnerë”, ka shkruar Hoti, në Facebook.
Ai thotë se LDK-ja funksionon ndryshe, si në parti ashtu edhe në institucione.
“Zyrtarët e saj shfaqin lirshëm mendimin e tyre mospajtues me udhëheqësin, por ata në të njëjtën kohë janë të përgjegjshëm ndaj detyrave që kanë. Duket qartë se Kurti nuk funksionin kështu. Keq për të. Sot Kurti nuk e ka shkarkuar z.Veliu, por veten e tij, duke ikur kështu nga përgjegjësitë shtetërore ndaj qytetarëve në një moment të vështirë për të gjithë”, ka shkruar Hoti.