Lajme

Hoti: Qeveria e shkarkuar s’mund të mbulohet me nisma ligjore parciale

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se qeveria e shkarkuar e cila ka shkelur Kushtetutën nuk mund të mbulohet me nisma ligjore parciale.

Sipas tij, nisma të tilla ligjore nuk do të arrijnë të hyjnë në fuqi në kohë për të qenë në shërbim të menaxhimit të pandemisë.

Sot, përmes një njoftimi për media, Kryesia e Kuvendit të Kosovës njoftoi se pritet të mblidhet në orën 14:00. Aty pritet procedimi i disa nismave ligjore. Ndër to projektligji për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

“Supsendimi i demokracisë, përmes suprimimit te lirive themelore te njeriut nga Qeveria e shkarkuar, duke shkelur Kushtetutën, duke bankrotuar ekonominë pa asnjë konsiderate, duke defaktorizuar Kuvendin, nuk mund të mbulohet me nisma ligjore parciale. Në cilëndo situatë, këto nisma ligjore nuk do arrijnë të hyjnë ne fuqi në kohë për të qenë në shërbim të menaxhimin te pandemisë”, shkruan Hoti në facebook.

Sipas Hotit, “Kosova ka nevojë për Qeveri me kompetenca të plota kushtetuese”.

“Qeveri legjitime që merr përsipër të krijojë konsensusin e nevojshëm shoqëror për te mobilizuar te gjitha mundësitë, brenda dhe jashtë Kosovës, për të përballuar pasojat ekonomike e sociale të pandemisë. Ketë gjë mund ta bëjë vetëm një kryeministër e një qeveri normale, jo konfrontuese, me mentalitet demokratik e ne respektim te ligjit dhe Kushtetutës”, shkruan Hoti.