Lajme

Hoti: Në qeverinë time do të ketë 16 ministri

I mandatuari i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se në kabinetin që synon të udhëheqë do të ketë 16 ministri.

Ai ka deklaruar se ndryshime do të ketë në Ministrinë e Ekonomisë, pasi që sipas tij, në atë ministri aktualisht janë të përfshira pesë ministri e gjysmë.

Hoti ka thënë se ende nuk është caktuar kabineti qeveritar, derisa ka shtuar se ka përmbyllur të gjitha marrëveshjet me partnerët e koalicionit, raporton KOHA.

“Unë në cilësinë e mandatarit gjatë tri ditëve të fundit i kam përmbyllur të gjitha marrëveshjet me partnerët e koalicionit. Kabineti i ri do të ketë 16 ministri. Ende nuk është caktuar kabineti qeveritar. Kemi bërë një riorganizim të ministrive, te pjesa e ministrisë së ekonomisë i kemi bërë disa ndryshime”, ka thënë ai.

Këto deklarata Hoti i ka bërë në një prononcim për media pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.