Lajme

Hera e parë në historinë e Gjermanisë, lejohet pa kushtëzime shtetësia e dyfishtë

Gjermania është në prag të një hapi të madh, pasi për herë të parë në historinë e saj, lejon pa kushtëzime shtetësinë e dyfishtë.

Parlamenti gjerman

në Berlin ka filluar konsultimet për reformimin e ligjit të ri të shtetësisë gjermane. 8 risitë kryesore.

1. Lejohet shtetësia e shumëfishtë

Ligji aktual e lejon shtetësinë e dyfishtë për shtetasit e BE-së,  Zvicrës si edhe për fëmijët e lindur dhe rritur në Gjermani deri në moshën 22-vjeçare. Më pas ata duhet të vendosnin se cilën shtetësi duhet të mbajnë. Kusht për dhënien e shtetësisë gjermane, sipas ligjit aktual, është heqje e shtetësisë së mëparshme. Ky kusht, anashkalohej vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur shteti i origjinës nuk pranonte t’ia hiqte shtetësinë qytetarit të vet. Raste të tilla kanë qenë për shembull, për shtetasit nga Irani, ose edhe nga Kosova, para shpalljes së pavarësisë. Me ligjin e ri, bie kushti i heqjes së shtetësisë tjetër, për të marrë shtetësinë gjermane.

2. Shkurtohen afatet e fitimit të shtetësisë

Ndërsa sipas ligjit ekzistues duheshin tetë vjet qëndrim në Gjermani për të marrë shtetësinë gjermane, ligji i ri lejon marrjen e shtetësisë edhe pas pesë vjetësh qëndrimi në Gjermani, madje edhe pas tre vjetësh, nëse dëshmon aftësi të veçanta integruese.

3. Shkurtohet afati i qëndrimit të prindit për fitimin e shtetësisë së fëmijëve

Periudha e nevojshme e qëndrimit të prindit në Republikën Federale për marrjen automatike të shtetësisë gjermane nga ana e fëmijëve të lindur në vend do të shkurtohet nga tetë në pesë vjet. HIqet rregulli i përzgjedhjes së një shtetësie, në moshën 22-vjeçare.

4. Njohja e rendit kushtetues të lirë demokratik

Si parakusht për fitimin e shtetësisë gjermane bie kushti për t’iu nënshtruar jetesës gjermane, dhe vihet kushti i njohjes së rendit kushtetues të lirë dhe demokratik.