Haxhiu: Kurtin unë e bëra lider, tani ai është frikacak e gënjeshtar i përbetuar
Publicisti Baton Haxhiu ka folur më shumë për përplasjet e tij me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, për të cilin ka thënë se nuk ka ndërgjegje sociale as politike.
“Albin Kurti s’ka ndërgjegje sociale, pasi s’ka familje. Familja e tij është jashtë ndikimit nga brenda. Nga veprimet e tij, nuk preket familja e tij. Nuk ka ndërgjegje politike. E treta, organizimet e tij kriminale deri te dërgimi i Kosovës në luftë civile e bën atë të pabesueshëm. Një shtresë e mesme në Kosovë nuk i beson”, ka thënë Haxhiu në Debat Plus në Tv Dukagjini.
Haxhiu ka thënë ai vetë e ka bërë figurë më 1997.
S’kish mujt me qenë Albin Kurti pa mu. Atë e kam bërë figurë më 1997. Pa mua dhe Kohën Ditore e Muhamet Mavrajn, ai s’do të ekzistonte. Ne e kemi bërë figurë atë. Një njeri që ka ardh në studio te unë, e kanë pasur studion e hapur, unë kam qenë kundër ndarjes së Vetëvendosjes, por pafuqia e tyre me ndërtu një raport, pasi shumë s’kanë besuar se vijat e kriminalitetit kanë ardhur nga Albin Kurti. Unë s’kam faj. Faj kanë idetë kriminale të tij. Albin Kurti s’um njeh mu fare. S’e din as pse ka dalë në protestat e vitit 1997. Ai s’e din as pse ka fol aty. Unë e di. Projekti i demonstratave s’ka ndodhur prej studentëve. Albini ka ardhur aty dy tri javë në demonstrata”, ka thënë Haxhiu.
Tutje, ai e ka quajtur frikacak Kurtin.
“Kurti është frikacak në çfarëdo aspekti. Nuk ka ndryshuar. S’ka parim fare. Çdo parim e shkel rrugës. Ai nuk ndryshon. Është gënjeshtar i përbetuar”, ka thënë tutje Haxhiu.