Të fundit

Hasan Hajrullahu – pishtar i arsimit shqip dhe bartës i shumë funksioneve në Preshevë

Shkruan Ferid Selimi

Sa herë që eci rrugës nga ish pazari i Preshevës deri në çarshi, më bëhet se takoj një mesoburrë me trup atleti, i pashëm, me një veshje elegante e me një qëndrim dinjitoz e burrëror.
Më ka mbetur thellë në memorie që nga fëmijëria ime, kur mu aty te godina e vjetër e Gjimnazit “Skënderbeu” takoja këtë mesoburrë, atëherë rreth 40 vjeçar, i qetë në ecje, me një çantë të zezë që mbante në një dorë, të mbështetur për sako. Ky burrë që takoja shpesh te i njëjti vend, mu aty në çarshi, ishte Hasan Hajrullahu, kryetar i atëhershëm i Komunës së Preshevës, i cili rrugën nga shtëpia e tij te mëhalla e Tërrnavaleve e deri në Komunë e anasjelltas e bënte më këmbë.
Nuk e di pse, por ia kisha shumë lakmi. Unë atëherë fëmijë e ai kryetar komune.
E z. Hasani, i lindur më 30 dhjetor të vitit 1936, që i takon brezit të parë të arsimuar, meriton që të çapis pak në jetën dhe karrierën e tij të pasur. E meriton, sepse shumë institucione kishin zënë fillin që nga koha kur ai udhëhiqte me Preshevën.
Ishte nxënës i gjeneratës së parë të shkollës fillore (viti shkollor 1945/46) e një ndër mësuesit kishte edhe Demirali Hoxhën, një burrë të urtë dhe përparimtar i kohës.
Z. Hasani po ashtu ishte edhe nxënës i gjeneratës së parë të Normales në Prishtinë, shkollim atë që e vijoi nga viti 1953 deri në vitin 1957.
Me të kryer normalen, në vitin 1957, punësohet në arsim. Së pari në Shkollën Fillore në Miratoc, ku punon dy vite shkollore, dhe meqë shërbimi ushtarak aso kohe ishte i obligueshëm, po atë vit shkon në ushtri. Me t’u kthyer nga shërbimi ushtarak punësohet në Shkollën fillore në Rahovicë, që aso kohe ishte paralele e Shkollës Fillore të Preshevës, ku punon disa muaj. Pas ca muajve shërbimi në këtë shkollë, kalon në Shkollën Fillore “15 Nëntori” të Preshevës.
Vlen të theksohet që ishte sportist i dalluar, e sidomos shquhej në futboll, ku edhe shfaqi talentin e tij në ekipin futbollistik “Hajduk” të Preshevës.
Duke qenë një i ri që e donte sportin, në vitin 1962/63 regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, në drejtimin e Edukatës Fizike, drejtim ky i sapohapur për studime në gjuhën shqipe. Me tu kthyer nga studimet me diplomë arsimtari, punësohet në cilësinë e arsimtarit të Edukatës Fizike në Shkollën Fillore “15 Nëntori” në Preshevë dhe menjëherë po atë vit (1965) emërohet zëvendës drejtor i po asaj shkolle. Dy vite më vonë kalon në Gjimnazin “Zora socializma” në Preshevë.
Në vitin shkollor 1967/68 emërohet drejtor i Gjimnazit, i cili në atë vit ndryshon emrin nga “Zora socializma” në Gjimnazi “Skënderbeu”.
Në cilësinë e drejtorit të këtij institucioni arsimor nis kërkesën dhe procesverbalin në Ministrinë përkatëse për ndryshimin e emrit. Po ashtu sa ishte drejtor i këtij gjimnazi, iu përgjigj pozitivisht kërkesës së arsimdashësve të Tërrnocit me nismë të Shaban Xheladinit me shokë (shok i normales) për hapjen e paraleles të gjimnazit të Preshevës në Tërrnoc.
Nga viti 1970 deri në vitin 1978 ishte kryetar i Komunës së Preshevës.
Gjatë mandatit të tij u ndërtuan objekte e u hapën disa institucione si infrastukturore, ekonomike, shoqërore, kulturore e arsimore.
Kështu gjatë asaj periudhe kohore u ndërtuan dhe u hapën Objekti i shkollës në Caravajkë e Leran.
U hap Gjyqi Komunal (1972).
U ndërtua objekti i ri i Gjimnazit të Preshevës (në vitin 1977).
U nis dhe thuaja u finalizua Objekti i Shtëpisë së Kulturës.
U hap ekspozitura e Jugobankës nga dega ne Mitrovice.
U vazhdua ndërtimi i rrugës Preshevë-Gjilan përmes Karadakut, etj.
Nga viti 1978 deri në vitin 1982 ishte deputet në dhomën e komunave në Parlamentin Republikan.
Nga viti 1982 kur edhe u themelua Enti Parashkollor në Preshevë, z. Hasani ishte drejtori i parë i këtij institucioni, që e udhëhoqi deri në vitin 1997, kur edhe u pensionua.
z. Hasan Hajrullahu aktualisht me familjen e tij jeton në Preshevë.

Foto 1-3 z. Hasani
Foto 4: z. Hasani me Abedin Selimin. Pak duket edhe Selim Selimi dhe nga prapa duket të jetë Dërgut Krashnica.
Foto 5-z. Hasani, futbollist, me Veli Veliun.
Foto 6 me Kolektivin e Shkollës Fillore, në cilësinë e zv. Drejtorit
Foto 7- z. Hasani në cilësinë e drejtorit të Gjimnazit me maturantë