Lajme

Haradinaj: Parandalova planin e grabitjes së 10 miliardë eurove të Trepçës nga ideja e Thaçit, Vuçiqit e Ramës

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj thotë se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka punuar kundër Kosovës, ndërsa Ditmir Bushati rezistoi kundër planit për ndarjen e Kosovës.

Në një intervistë për Ora News, lidhur me taksën 100% ndaj mallrave serbe, Haradinaj thotë se i solli përfitim deri në 600 milionë euro, vetëm në një vit Kosovës.

“Albin Kurti nëse e heq këtë taksë, bën gabim të madh!”, ka thënë ai, përcjell ksp.

Sa i takon Bashkimit Kombëtar, kryeministri në largim thotë se “duhet folur më pak dhe punuar më shumë”.

Nga ana tjetër ai zbuloi se arsyeja e fshehtë e krizës politike në Kosovë ishte e ardhmja e minierës së Trepçës në Mitrovicë.

“Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë euro, Trepça jep një fitim neto rreth 500 milionë euro në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë euro, të cilat duhet t’i gëzojë Kosova”, thotë ai.

Haradinaj thotë se e parandaloi këtë grabitje dhe përsëriti akuzat se 3-shja Vuçiç-Thaçi-Rama ishin ideatorët e planit për ndarjen e Kosovës.

“Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës. Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiq dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, thotë ai.

Haradinaj thotë se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka punuar kundër Kosovës, ndërsa Ditmir Bushati rezistoi kundër planit për ndarjen e Kosovës, derisa e larguan për të sjellë Cakajn, që ishte shumë aktiv, duke promovuar ndërkombëtarisht këtë projekt.

Haradinaj tha se presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u dha mbështetje kundër ndarjes së Kosovës, po ashtu edhe opozita e Shqipërisë, Berisha, Basha dhe Kryemadhi. Sipas tij, tani mosndarja e Kosovës është një betejë e fituar.

Haradinaj thotë se Shengeni Ballkanik, pa Kosovën është një gabim shumë i madh.

“Kështu tregohemi shumë të dobët përpara Serbisë dhe Evropës”, shprehet Haradinaj.