Lajme

Haradinaj godet tavolinën që s’e heq taksën, presioni i SHBA-së merr kahe tjetër

Edhe njëherë në zonën e tij të rehatisë, në Deçan, kreu kosovar i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka rrahur tavolinën, për të përforcuar kësisoj fjalët e tij se nuk tërhiqet nga tarifa doganore për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

E në anën tjetër, presioni ndaj tij për të tërhequr taksën, ka marrë tjetër kahe. Nga SHBA-ja nuk do të vijë në vizitën e tij të paralajmëruar komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneral major Timothy Orr. Ky mik i Kosovës, kishte planifikuar të shkelte në Prishtinë, me rastin e 11-vjetorit të shtetësisë.

Lajmin e një dite më parë të portalit Koha.net, e konfirmoi sot Ambasada Amerikane. Richard Mei, zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ka thënë për portalin Koha.net se anulimi i vizitës ka të bëjë me taksat që ka vendosur Qeveria e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se vizita e Gjeneralit Orr është anuluar lidhur me tarifat në produktet nga Serbia dhe Bosnia. Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, ka thënë Mei.

Kohavisioni raportoi sonte në Lajmet e Mbrëmjes se janë në rrezik edhe rreth 12 milionë euro ndihmë me vetura ushtarake të quajtura Humvee, donacion që FSK-ja pritej ta merrte nga ushtria amerikane në mesin e këtij viti. Që kur u themelua FSK-ja, raportet me SHBA-në janë në pikën më të ultë. E ky fakt e ka shqetësuar gjeneralin e FSK-së, Rrahman Ramën, i cili pavarësisht që ka thënë se nuk do të donte të bënte deklarime politike, e frikëson ngrirja e marrëdhënieve me aleatin kryesor të ushtrisë së Kosovës.

Edhe analistë politikë në Kosovë kanë diskutuar për taksën. Duke komentuar vendimin për taksën dhe reagimet ndërkombëtare për heqjen e saj në mënyrë që të vazhdohet dialogu, në “Express Intervistën” në KTV, profesori i së drejtës evropiane, Emrush Ujkani ka thënë se “Kosova nuk është se ka fituar me taksën, por të paktën ka dhënë provim para shteteve që kanë pasur spekticizëm se Kosova është shtet”.

Këtu, ka shtuar ai, skena politike vendore duhet të ketë parasysh se “partneriteti me SHBA-në dhe BE-në është i panegociueshëm sepse të ardhmen e shohim në BE”.

Ilir Ibrahimi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria e Kosovës duhet që ta pranojë rekomandimin amerikan duke pezulluar për afat të pacaktuar taksën, për t’i dhënë kështu një shans dialogut në Bruksel.

“Taksa ka qenë një veprim politik dhe unë mendoj se e ka arritur qëllimin e vet. E ka arritur mesazhin që Kosova ka mundësi të marrë vendime të tilla të mëdha dhe pezullimi nuk do të thotë heqje e taksës. Pezullimi do të thotë për një kohë të caktuar sepse dialogu është interes strategjik amerikan dhe nuk mund të marrim hapa që e pengojnë këtë dialog. Nëse taksa është duke penguar, atëherë pezullimi i saj i hapë rrugë dialogut dhe ne ndihemi në linjë me interesat strategjike amerikane dhe vënia në linjë me interesat strategjike amerikane është edhe interes strategjik i Kosovës”, tha Ibrahimi.

Por në prishjen raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së nuk beson as profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, i cili pret që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për heqjen e taksës.

“Mendoj se këto janë shenjat e para shumë serioze të dhëna nga Qeveria amerikane. Prandaj mendoj se mbi bazën e këtyre refleksioneve duhet që edhe ne të kemi përgjigjen tonë, përgjigjen e duhur. Nuk besoj shumë në prishjen e raporteve, prishjen përfundimtare, sepse jam shumë i bindur që lidershpi aktual dhe kushdo në Kosovë e dinë dhe e ka parasysh rëndësinë e raporteve të Kosovës me SHBA-në, prandaj unë besoj shumë se do të gjendet një zgjidhje e do të ruhet miqësia me SHBA-në, pa të cilën vërtetë është e paimagjinueshme ecja e Kosovës përpara”, deklaroi Hoti, po ashtu për Radion Evropa e Lirë.

Profesori Hoti thotë se Kosova duhet të reflektojë në raport me kërkesën amerikane duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut në Bruksel, gjë për të cilën sipas tij, SHBA-ja është duke kërkuar vazhdimisht nga Kosova.

Por Haradinaj vazhdon ta shohë ndryshe taksën. Ai e sheh si presion ndaj Serbisë, që të shpejtojë hapat drejt arritjes së marrëveshjes me Kosovën. Pikërisht këtë e tha sot në Deçan, gjatë fjalimit të tij të mbajtur para familjeve të dëshmorëve të kësaj komune, në kuadër të javës së përvjetorit të Pavarësisë.

“Serbia ka vazhduar të blejë armë në Moskë. Po blen Miga, teknologji të armatimit, e në dialog atje po u thotë vendeve të botës, ne jemi duke bisduar për statusin e Kosovës. Statusi u kry me 17 shkurt 2008. Ne jemi duke folur vetëm për njohje… Kështu për 5 vjet ka fituar në kohë. A e dini që taksa nuk e pengon marrëveshjen. Taksa ka me i ngut për me ardh te marrëveshja. Deri tash koha i ka konveno Serbisë, se na ka mbajt në tavolinë, tregun tinë e ka pas, na ka dobësu gradualisht. Por ka ndryshu, nuk është më Kosova që kanë kujtu që ka qenë gjithë, Kosova sot ka të votuar Ushtrinë e vet, i ka kryer ligjet e veta, edhe Ligjin për Trepçën, Kosova ka vendos taksë”, ka thënë Haradinaj.