Haradinaj e quan dështim të Qeverisë tërheqjen e Contour Global-it, thotë ishte investimi më i madh në Kosovë
Ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas vendimit që bëri kompania Contour Global për t’u tërhequr nga ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë.
Haradinaj, e ka quajtur qeverinë aktuale në krye me Albin Kurtin, të dështuar, e madje edhe në raport me SHBA-në.
“Në kohën e Qeverisë së Mashtrimit, Kosova dështoi sërish në raport me Shtetet e Bashkuara. Tash investitori Contour Global tërhiqet nga investimi në energji. Kosova e Re ka qenë projekti dhe investimi më i madh direkt në Kosovë, me 1.3 miliardë Euro! Ky projekt është bazuar në njërën prej pasurive kryesore të vendit tonë, rezervat e pesta të thëngjillit në botë, dhe do të zgjidhte problemin me furnizim stabil të energjisë në Kosovë. Për më shumë, ky projekt do të hapte 20 mijë vende të punës dhe do ta bënte Kosovën lider të energjisë. Bizneset pohojnë që humbjet vjetore, për shkak të energjisë jo stabile janë mbi 300 milionë Euro! Teknologjia e planifikuar do të zvogëlonte ndotjen e ambientit, me zëvendësimin e termocentralit të vjetër , për 10 herë. Qeveria duhet të gjejë zgjidhje urgjente pas këtij dështimi. Secila zgjidhje që nuk ofron siguri të furnizimit dhe zvogëlon varshmërinë nga energjia e importuar, do të jetë më e shtrenjtë se Kosova e Re. Dështimi i ndërtimit të Kosovës së Re dërgon mesazhe negative për investitorët amerikanë dhe me gjerë”, ka shkruar Haradinaj.