LajmeTë fundit

Haradinaj deklarohet pas takimit me zyrtarët e lartë amerikanë

Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 shkurtit 2018, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në takim me zyrtarët e lartë amerikanë, sipas njoftimit nga kryeministria. Në njoftimin për media, Haradinaj nuk ka përmendur nëse në takim, ku mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, është diskutuar edhe për taksën ndaj mallrave serbe.

Aty thuhet se Haradinaj ka theksuar se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.

“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka thënë Haradinaj, sipas njoftimit. Haradinaj ka thënë po ashtu se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithashtu, kryeministri Haradinaj në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, ka theksuar se Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj, duke vlerësuar se Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në fund të njoftimit.