Lajme

Haradinaj: Deklarata e Departamentit të Shtetit se s’ka plan për shkëmbim territoresh siguri për Kosovën

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se deklarata e Departamentit të Shtetit është siguria më e madhe për Kosovën.

“Deklarata e krerëve të lartë të Administratës amerikane dhe Departamentit të Shtetit se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh, është siguria më e madhe dhe garancia më e duhur që i nevojitet Kosovës sot për të ecur përpara”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka shtuar se, “kohën dhe energjinë më të madhe sa isha kryeministër, ia kam kushtuar luftimit të zërave konspirativ e të pasaktë, që dikur thoshin se Amerika është për shkëmbim territoresh, duke synuar gabimisht largimin tonë nga aleati ynë historik, SHBA-të. Ai plan ka pas mundësi të jetë në tavolina tjera, por asnjëherë në tavolinën e udhëhequr nga SHBA-të. Sonte, ndihem i përmbushur dhe i sigurt, që kjo bindje po konfirmohet edhe deklarativisht”.

Ai thotë se marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën janë të pathyeshme.

“Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pathyeshme, të pacenueshme, dhe të përhershme. Shtëpia e Bardhë dhe Ëashingtoni janë tempull i shenjtë i lirisë dhe pavarësisë sonë. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e saj. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin tonë”, ka shkruar Haradinaj.