Lajme

Haradinaj bën dhuratë për djalin e një çifti, byzylyk ari në emër të shtetit

Kreu kosovar i ekzekutivit, vazhdon ta trajtojë zyrën e tij dhe aspektet tjera që lidhen me të si hapësirë private.

Së fundi, në emër të shtetit, me logo e me numër protokoli Haradinaj i ka bërë një urim dhe një dhuratë një çifti lindjen e djalit të tyre. Ua ka blerë edhe një dhuratë një byzylykë që duket të jetë prej ari, e ku ndodhet edhe një gur i kaltër, që ka simbolikën e gurit “kundër mësyshit”. Nga ana e pasme është shkruar emri i Haradinajt.

“Të nderuar Naim dhe Njomza, jam i nderuar me ftesën që ma bëni, për të marrë pjesë në gazmendin tuaj familjar, me rastin e lindjes së djalit tuaj, … . Në emrin tim dhe të familjes sime, ju shpreh urimet më të ngrohta dhe dëshirat më të mira për djalin, … . Pastë shëndet e jetë të gjatë dhe të rritet i lumtur pranë prindërve dhe më të dashurve të vet. Urime e gëzofshi gjithmonë!”, thuhet në urimin që mban nënshkrimin e kryeministrit.

Koha.net ka provuar të kontaktojë me zyrtarët për informim në Kabinetin e Haradinajt, ndër të tjera për të pyetur edhe nëse dhurata është blerë me para të shtetit apo me ato të pagës së Haradinajt. Por të dielën pasdite e ka pasur të pamundur.

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj bën kësisoj veprimesh. Së fundi ai ia kishte festuar djalit të tij ditëlindjen në zyrën e Kryeministrisë, e ku të ftuar kishte shokët dhe shoqet e djalit.