Lajme

Hamiti e mbron Shaqirin: “Elhamdulillahi” i tij nuk ndjell urrejtje as racizëm

Profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, i ka dalë në mbrojtje futbollistit shqiptar të Zvicrës dhe Liverpoolit, Xherdan Shaqirit, i cili u kritikua ashpër në rrjetet sociale në Kosovë, përfshirë nga Blerim Latifi, këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për përdorimin e shprehjes arabe “Elhamdulillah”.

Xherdan Shaqiri iu falënderua Zotit gjë gjuhën arabe në një postim në rrjetet sociale pasi e fitoi Ligën e Kampionëve me Liverpoolin të shtunën në Madrid. Përdorimi i shprehjes “Elhamdulillah” nga futbollisti i Zhegrës së Gjilanit nxiti reagime të ashpra në Kosovë.Blerim Latifi, këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e kritikoi Shaqirin duke pohuar se, në mungesë të shkollimit, Shaqiri nuk e ka aftësinë t’i dallojë kufijtë e identitetit të vet.

Por, Hamiti beson se reagimet kanë qenë gjykime dhe paragjykime të tepruara.“Nuk ka asgjë të keqe në të (Elhamdulillah) dhe nuk është slogan që ndjell urrejtje apo që thërret për racizëm apo diçka të tillë”, tha Hamiti.“Ka teprime në gjykime dhe paragjykime të tilla. “Elhamdulillah” do të thotë në anglisht “Thanks God”(shyqyr Zotit), dhe Shaqiri ka thënë një falënderim pasi ka fituar”, theksoi Hamiti në Info Magazine në Klan Kosova.