Bota

Grushti i shtetit në 2016-n, Turqia urdhëron arrestimin e mbi 170 ushtarakëve

Turqia ka urdhëruar arrestimin e 176 shërbyesve ushtarakë, si të implikuar në rrjetin e përpjekjes për grushshtet, tre vjet më parë.

Në njoftimin e Prokurorisë shkruhet se në radhët e të ndaluarëve janë: një kolonel, dy nënkolonelë, pesë majorë dhe shtatë kapitenë. Më tej, bëhet e ditur se operacioni përfshin ushtrinë, forcën ajrore dhe atë detare.

Sipas Ankarasë zyrtare, kleriku mysliman, Fethullah Gulen, e ka organizuar përpjekjen për puç në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016. Ndërsa, Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, e ka mohuar përfshirjen në ngjarje. Në përndjekjen trevjeçare të autoriteteve turke, mbi 77,000 njerëz janë burgosur dhe rreth 150,000 shërbyes civilë dhe të tjerë janë pushuar ose pezulluar nga puna.

Aleatët perëndimorë të Turqisë dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar shkallën e lartë të përndjekjes, duke thënë se presidenti Erdogan, e ka përdorur puçin e dështuar si pretekst për të heshtur kundërshtarët. Megjithatë, sipas kreut të shtetit turk, veprime të tilla janë të domosdoshme përballë shkallës së kërcënimeve për sigurinë kombëtare.