Graqanica me rrugë të emërtuar “Kosova Metohija”, kërkohet reagim i institucioneve
Pavarësisht se daton që nga mesjeta apo shekulli i 11-të, nocioni “Metohija” si term kishtar, vazhdon të përdoret edhe sot nga popullsia serbe që jeton në Kosovë, por jo vetëm. Kosovës i referohet ky nocion edhe nga drejtuesit e lartë të institucioneve serbe, por nuk është kjo e gjitha.
Në hyrje të Graqanicës, shumë pak metra larg Prishtinës, një rrugë është e emërtuar si “Kosova Metohija”. Nocion ky i cili jo rrallë herë ka krijuar edhe tensione verbale ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Sipas historianit, Muhamet Malaj ky term nënkupton hapësirën që sot në Kosovë është rajoni i Dukagjinit.
“Për fat të keq ky term me konotacion politikë ka filluar të përdoret për shkak të politikës serbo madhe, e cila në fakt territorin e Dukagjinit, ose pjesën perëndimore të Kosovës, që njihet që nga viti 1281, me emrin si “Dukagjin”, ta zëvendësonte me një terminologji tjetër, por gjatë mesjetës nuk e kemi termin “Metohija”, në kuptimin që e ka sot, pra ka qenë pronë kishtare. Ndërsa, sot ka marrë një konotacion politikë dhe është një tendencë për të dëshmuar gjoja mbi sundimin kishtar të Kishës Ortodokse serbe në këto territore. Pra nga një kategori kishtare ka marrë një konotacion politikë dhe si një lloj kundërpërgjigje ndaj termit “Dukagjin”, thotë Malaj.
Që nga viti 1974, ky term është larguar nga përdorimi dhe për territorin e Kosovës është përdorur “Kosovë”.
Megjithatë, me tendencat për t’u kthyer prapë në atë politikë, ky term është futur prapë në përdorim. Madje, term i tillë po gjendet edhe në rrugët e Kosovës.
Për këtë nuk kanë folur as Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, përkundër insistimeve tona.
Historiani Muhamet Malaj thotë se Serbia nuk është liruar asnjëherë nga këto steorotipe të vjetra.
“Për fat të keq politika serbe ende nuk është liruar nga këto steorotipe të vjetra, përkundrazi ajo po i rikthen në tregun politikë këto terminologji të cilat janë të larguara, që i ka larguar edhe koha, edhe historia, për faktin se janë kategori historike, nuk janë kategori politike, bashkëkohore…Tendenca pra është politike që termit Kosovë t’i ndajshtohet edhe një element tjetër me proviencë fetare ortodokse-serbe”, vazhdon Malaj.
Siç thotë Malaj, kjo është ndër lëshimet e shumta që ka bërë politika e Kosovës.
Gani Hyseni, banor në këtë komunë thotë se institucionet e Kosovës, duhet të reagojnë sa më shpejtë.
“Në këtë vend në hyrje të Graqanicës, rruga ka emrin “Kosova Metohija”, duhet të reagojnë institucionet qendrore në rend të parë, dhe nuk është në rregull që 20 vjet me funksionu ky sistem kështu, sepse nuk e di në çfarë mënyre, si e shohin politikanët këtë situatë. Këtu është Kosovë, nuk është Metohi, por është Kosovë, por duhet urgjentisht me i trajtu këto gjëra sa më shpejtë…Kosova është Kosovë, jo Metohi”, thotë Hyseni.
Derisa për banorët kosovarë në këtë komunë është shqetësuese një emërtim i tillë, njëjtë nuk ndodhë me ata serbë.
“Për këto pyetje shkoni direkt në komunë”, shprehet ai.
Sipas historianit Muhamet Malaj, sikur Kosova të ishte shtet më serioz, atëherë përdorimi i termit “Kosova Metohija”, me kuptimin e serbëve që e përdorin, do të duhej të ndalohej edhe në kuptimin ligjor. Kjo tendencë e këtij përdorimi është akronike dhe tendencioze