Gjykimi i Trumpit, republikanët i frikësohen dëshmisë së Boltonit
Avokatët e presidentit amerikan, Donald Trump, i kanë përfunduar argumentet e tyre në Senat, në kuadër të seancave gjyqësore për shkarkimin e mundshëm të republikanit.
Pas kësaj, të mërkurën dhe të enjten, do të ketë seanca ku do të parashtrohen vetëm pyetje.
Argumentet përmbyllëse u bënë kur u publikua një raport nga ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, e që implikon presidentin Trump në librin e tij të ri, raporton Reuters.
Boltoni shkruan se Trumpi e tërhoqi drejtpërdrejt ndihmën për Ukrainën, për përfitimin e tij politik.
E qëndrimi i Boltonit ndaj Trumpit i ka forcuar thirrjet e demokratëve që të ketë dëshmitarë në gjykimin e presidentit, transmeton KTV.
Por, sipas avokatëve të Trumpit, raporti i Boltonit është bërë vetëm për marketing.
“Ja se çfarë ka thënë presidenti si përgjigje për artikullin e New York Times: ‘Kur nuk i kam thënë John Boltonit se ndihma për Ukrainën ishte e lidhur me hetimet ndaj demokratëve, përfshirë Bidenët. Në fakt, asnjëherë nuk është ankuar për këtë. Nëse John Bolton ka thënë ashtu, e ka bërë vetëm sa për t’iu shitur libri”, ka thënë Jay Sekulov, avokati i Trumpit.
Republikanët prejse ka filluar gjykimi në Senat, kanë refuzuar thirrjen e dëshmitarëve, sidomos shkaku i shqetësimeve se çfarë mund të thotë Boltoni, nëse ftohet.
Presidenti Trump është duke u gjykuar për abuzim me pushtetin dhe pengim të Kongresit. Ai i ka mohuar këto akuza, por në rast se dëshmon Boltoni, atëherë mund të ndërrojë i gjithë skenari.
E të premten me votë pritet të vendoset nëse duhet të ftohen dëshmitarët në gjykimin e Trumpit.