Gjuriq të hënën në Kosovë, merr leje nga MPJ-ja
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka marrë leje nga institucionet e Kosovës për të qëndruar të hënën e 6 janarit në Kosovë në prag të Krishtlindjes ortodokse.
Lajmi është konfirmuar nga këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj. Ai në një përgjigje për Koha.net, ka thënë se Gjuriq ka qenë i rregullt dhe i disiplinuar në parashtrimin e kërkesës.
“Po, ka qenë i rregullt dhe shumë i disiplinuar në parashtrimin e kërkesës dhe i është aprovuar”, ka thënë ai në një përgjigje për Koha.net.
Tutje Zyberaj ka thënë se Kosova po tregon se i respekton obligimet ndërkombëtare për lëvizjen e lirë, duke akuzuar Serbinë për ndaljen paarsye të qytetarëve të Kosovës. Ai ka përsëritur kërkesën e Kosovës për lirimin e Nezir Mehmetaj, i cili para dy ditësh u arrestua teksa kthehej në Kosovë, e ndaj të cilit sot një gjykatë në Serbi vendosi për masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Zyberaj ka thënë se Bashkimi Evropian s’duhet të tolerojë më sjelljet e tilla nga Serbia “ngase situata mund edhe të eskalojë”.
“Gjithashtu, ky është një tregues i qartë se Kosova i respekton të gjitha obligimet ndërkombëtare që ka marrë për lëvizjen e lirë të njerëzve. Në anën tjetër Serbia, vazhdon me mentalitet kriminal ta trajtojë Kosovën duke i ndaluar pa arsye qytetarët tanë. BE nuk duhet ta tolerojë një gjë të tillë ngase situata mund edhe të eskalojë. Serbia duhet menjëherë ta lirojë qytetarin tonë z.Mehmetaj dhe të ndalojë persekutimin dhe sjelljen kriminale ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.