Gjuriq: Serbia në Uashington po punon për hapjen e tregut serb në Kosovë
Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se Serbia po mbron interesat e saj në Uashington, duke avokuar për hapjen e tregut të Kosovës për kompanitë serbe, por edhe për hapjen e tregut serb, si dhe për lidhje më të mira infrastrukturore.
“Ekipi i presidentit Vuçiq ka përgatitur një platformë serioze që është e orientuar drejt së ardhmes, drejt bashkëpunimit që duhet të krijojë shanse për të rinjtë dhe për zgjidhjen e problemeve në një mënyrë të tillë që të krijohet një bazë ekonomike pakrahasimisht më e mirë”, tha Gjuriq për TV Pink.
Shtëpia e Bardhë ka thënë sot se mirëpret takimin mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Përmes një komenti të mërkurën në Twitter, Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien nënvizoi rëndësinë e bisedimeve:
“Mirëpres mbërritjen e Presidentit Vuçiç dhe të Kryeministrit Avdullah Hoti nesër në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Angazhimi i dy udhëheqësve për dialog do të sjellë përfitime si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën,” tha O’Brien.