Lajme

Gjukanoviqi akuzon Serbinë dhe Rusinë për minim të pavarësisë së vendit të tij

Presidenti i Malit të Zi ka akuzuar Serbinë dhe Rusinë për shfrytëzim të Kishës ortodokse serbe për të minuar qeverinë pro-Perëndimore të vendit të tij derisa e njëjta kërkon anëtarësimin në BE.

Millo Gjukanoviq tha se një sërë tubimesh kundër një ligji të feve të cilat kanë qenë të udhëhequra nga klerikë ortodoksë serbë në vendin ballkanik kishin për qëllim “të vënin në pikëpyetje pavarësinë e Malit të Zi”.

Mitropoliti Ilarion, klerik i Kishës ortodokse ruse, ka ngritur zërin për mbështetje ndaj interesave të Kishës ortodokse serbe në Mal të Zi. Mitropoliti Onufriy, kreu i Kishës ortodokse ukrainase, besnik i patriarkatit të Moskës, u është bashkuar protestave këtë javë në Podgoricë.

“Nëse po pyesni nëse kjo është një vazhdimësi e shkatërrimit (të mbetur në tentativë) të Malit të Zi dhe pengimit të qëllimeve të tij për të vazhduar rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, nuk ka dyshim për këtë”, tha Gjukanoviqi në një intervistë dhënë Reutersit, transmeton Koha.net.

“Moska ishte e qartë në shprehjen e interesave të saj për problemin e vazhdueshëm (për fe) në Mal të Zi”.

Gjukanoviqi akuzoi Beogradin për ringjalljen e konceptit nacionalist për Serbi të Madhe që kontribuoi në luftërat ballkanike të viteve të ’90-ta dhe kolapsin e ish-Jugosllavisë.

“S’kemi asnjë dyshim se… të gjithë mekanizmat e implementimit të projektit shtetëror për Serbinë e Madhe… janë vënë në lëvizje, dhe se Mali i Zi është po ashtu cak”, tha ai.

Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse, ka hedhur poshtë deklarimet e Gjukanoviqit, duke thënë se “askush s’mund t’i minojë veprimet e veta më shumë se vetë ai/ajo”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i mohoi komentet e Gjukanoviqit. Duke iu referuar protestave që vendi me 620 mijë banorë është përballur, ajo tha se ai (Gjukanoviqi) “ka një problem në vendin e tij dhe me qytetarët e Malit të Zi”.

“Jam e befasuar me retorikën e presidentit Gjukanoviq… Serbia ka hequr dorë nga të ’90-tat moti kohë dhe është kthyer kah e ardhmja”, tha Bërnabiqi, duke shtuar se Serbia po kërkon vetëm të drejtën për gjuhën dhe besimin e serbëve në Mal të Zi.