Gjirokastra po ndërtohet me modelin më të mirë të trashëgimisë kulturore
“Gjirokastra sot ndërtohet dhe rindërtohet me modelin e më të mirëve, veçanërisht në aspektin e trashëgimisë kulturore”, tha Mirela Kumbaro, deputete e Partisë Socialiste në këtë qark, gjatë fjalës së mbajtur sot, në takimin publik të ciklit kombëtar “Bashkia që duam” që u zhvillua në Pallatin e Sportit në Gjirokastër.
“Nga Tepelena, deri në Dropull ju bashkë me ne po punojmë për Gjirokastrën. Është një program, nuk është një individ, është një vizion që filloi të marrë jetë në vitin 2013 kur të gjithë bashkë thamë se do t’i besojmë programit të Partisë Socialiste që është mandat për të gjithë shqiptarët”, – tha Kumbaro.
Duke u ndalur në risitë dhe zhvillimin që po merr arsimi, shëndetësia, Kumbaro u shpreh se forca e ndryshimeve edhe më të mëdha do të ndihet pas 4 muajsh që mbyllen zgjedhjet vendore dhe vota për PS-në të triumfojë.
“Gjirokastra po kthehet tashmë në një destinacion turistik falë projekteve dhe investimeve që ka adresuar qeveria, ndërsa rindërtimi i plotë i kalldrëmeve në bashkëpunim me projektin e BB-së do të jetë një vlerë e shtuar për Gjirokastrën turistike”, tha ajo./A.T.SH/