Gjillas: Plani evropian s’është i mirë për Serbinë, por s’është mirë të refuzohet
Kryetari i Partisë Liri dhe Drejtësi (PLD) në Serbi, Dragan Gjillas, ka vlerësuar se plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i pashmangshëm sepse opinioni në Serbi është informuar për përmbajtjen e planit vetëm pranimit të tij dhe se zgjidhja e vetme është sigurimi i një jete më të mirë për serbët e Kosovës.
Sipas tij, plani evropian është plani i parë për Kosovën me të cilin janë njohur qytetarët e Serbisë, i cili është publikuar në faqen e BE-së, por vetëm pas nënshkrimit, transmeton Klankosova.tv.
“Ne kemi marrë një dokument i cili nuk mund të diskutohet, ka mundur të jetë ndryshe, por plani u pranua dhe është i pashmangshëm dhe është e kotë të flasim për të”, tha Gjillas në një konferencë për media, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Ai shtoi se PLD-ja ka dalë me propozime për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por se qeveria i ka refuzuar çdo herë.
“Evropa pretendon se plani është pranuar, ndërsa qeveria pretendon se nuk do ta zbatojë pjesën për pavarësinë e Kosovës. Për PLD-në, pjesa më problematike e planit është se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Gjillas.
Kryetari i PLD-së vlerësoi se me hapjen e fabrikave, universiteteve dhe zhvillimin e pjesëve të Kosovës ku jetojnë serbët, ata do të ndihen më të sigurt.
“Shteti i Kosovës nuk i mbrojti serbët në Kosovë. Serbët janë të ekspozuar ndaj rrahjeve dhe dëbimit nga Kosova, dhe lufta jonë për Kosovën ka kuptim vetëm nëse atje jetojnë serbët”, tha më tej Gjillas.
Ai theksoi se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve nuk është e mirë për Serbinë, por se nuk është mirë të as refuzohet propozimi i pranuar.
“Serbia duhet të jetë në BE. Nuk do të ketë prosperitet nëse nuk shkojmë në atë rrugë, është vendi më i mirë për të jetuar. Për ne, BE-ja do të thotë paga më të larta, shëndetësi dhe arsim më të mirë, një ekonomi më të zhvilluar dhe një gjyqësor të pavarur”, tha ndër të tjera, kreu i PLD-së në Serbi, Dragan Gjillas.