Gjermania e ribashkuar – e përgatitur për të ardhmen
Ribashkimi 30 vjet më parë krijoi një Gjermani të fuqishme nga e cila përfiton Evropa. Tregimi lindor për ribashkimin sivjet ka përballë tregimin perëndimor, shkruan Auron Dodi.
“Është e enjte, 4 tetor, ora dy. Ju flet Deutschlandfunk me lajmet: Dyshtetësia gjermane mori fund. Në mesnatë hyri në fuqi aderimi i Republikës Demokratike Gjermane në Republikën Federale të Gjermanisë. Volkskammer (Parlamenti i RDGJ) në Berlinin Lindor e pati vendosur këtë aderim në gusht. Me këtë, RDGJ, sipas kuptimit të ish-partisë shtet SED, shtet socialist i kombit gjerman, pushoi së ekzistuari. Gjermania e ribashkuar është tani, 45 vjet pas përfundimit të luftës, përsëri shtet sovran. Katër fuqitë fituese më parë i patën pezulluar të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në lidhje me Berlinin dhe Gjermaninë si një të tërë. Sovraniteti përfundimtar do të hyjë në fuqi kur parlamentet e Katër Fuqive ta kenë ratifikuar këtë. Para ndërtesës së Rajshtagut në Berlin në mesnatë, për të treguar ribashkimin u ngrit një flamur i madh zi-kuq-i artë, në Bashkinë Schöneberg ra këmbana e lirisë.”, shkruan DW, përcjell Albinfo.ch
Me këto fjalë i përshkroi momentet e para të Gjermanisë së ribashkuar Radioja Kombëtare Gjermane, Deutschlandfunk. Sot Gjermania e ribashkuar mbush 30 vjet. Gjermania e tri dekadave të fundit është Gjermania më e mirë që ka ekzistuar ndonjëherë, për shumicën e gjermanëve dhe për botën: demokratike, e parashikueshme në veprime, e vlerësuar gjerësisht në botë. Ky nuk është vetëlavdërim i gjermanëve, por vlerësim i të tjerëve, ngjashëm konkludoi së fundi në shtypin evropian edhe historiani i njohur britanik, Timothy Garton Ash.
Para ribashkimit me pjesën lindore, Gjermania Perëndimore, Republika Federale ishte një shtet shembullor demokratik, i integruar në NATO e në BE. Megjithëkëtë, hyrja e të gjithë Gjermanisë në grupin e demokracive perëndimore më 3 tetor 1990 u prit me ndjenja të dyfishta në kryeqytetet evropiane: me kuriozitet, por edhe me drojë.
Droja kishte të bënte më të panjohurën që sillte për Evropën ky shtet “me madhësi kritike”, siç e ka quajtur atë ish-kancelari gjerman Kurt Georg Kiesinger. A do të zgjohen te ky anëtar shembullor i bashkësisë “instinkte të vjetra”, kjo pyetje i preokupon shtetet e tjera, shprehej revista amerikane “Time” pak pas ribashkimit. A do të kërcënojë Gjermania e ribashkuar ekuilibrat dhe sigurinë e Evropës, ky ishte preokupimi i kryeministres britanike Margaret Thatcher në përpjekjen e saj fillestare për ta frenuar ribashkimin gjerman.
Sot, 30 vjet më vonë, Gjermania është kthyer në shtet të pazëvendësueshëm në BE. Në qershor 2013, në artikullin “The reluctant hegemon” (“Hegjemon kundër dëshirës”), revista britanike The Economist shkruante se “rreziku për Evropën sot nuk konsiston në një udhëheqje shumë të fortë gjermane, por në një udhëheqje të dobët”.
Rol koordinues në krizat në Evropë
Krizat e dekadave të fundit në Evropë dhe botë evidentuan një Gjermani të përgatitur më mirë se shtete të tjera për të drejtuar me konsensus Bashkimin Evropian të 27 shteteve. Ishte Gjermania ajo që organizoi përgjigjen evropiane ndaj krizës financiare në vitet 2008-2009, përcaktoi drejtimin dhe strategjinë e politikës së shëndoshjes ekonomike në BE.
Në momente të rëndësishme kthese në botë, vëmendja e opinionit është drejtuar te Gjermania dhe kancelarja Merkel. Me ndërrimin e administratës në SHBA në vitin 2016, bota e civilizuar u kthye natyrshëm për udhëheqje morale nga Gjermania. Kancelarja Angela Merkel u portretizua në mediet evropiane me këmbëngulje si mbrojtësja e fundit e vlerave liberale të Perëndimit.
Dekadën e fundit Gjermania është treguar më aktive edhe në politikën e jashtme. Administrimi nga fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore e mbajti të kufizuar për gjermanët deri në ribashkim këtë fushë të politikës. Në vitin 2014, në në Konferencën e Sigurisë në Mynih, përfaqësues të elitës gjermane e shtruan si nevojë të domosdoshme gjallërimin e politikës së jashtme. Presidenti i atëhershëm i Gjermanisë, Joachim Gauck kërkoi në Mynih që Gjermania të reagojë “më herët, më me vendosmëri, më thelbësisht.”
Këtë Gjermania e ka bërë duke e “drejtuar që nga mesi” Bashkimin Evropian, si “e para midis të barabartëve”.
Disa momente për t’u veçuar janë shkurti 2015, kur Gjermania me Francën ndërmjetësuan Marrëveshjen e Minskut, për Ukrainën; nëntori 2019, kur Gjermania nisi angazhimin për një drejtim të ri të NATO-s; ky vit i pandemisë së Covid-19, kur kancelarja Merkel koordinoi – së bashku me Francën – përpjekjen historike për rindërtimin e Evropës pas pandemisë dhe për kufizimin kështu të ndërhyrjes së huaj në BE.