ARKIVA

Gjendet testamenti i princit Gjon Muzaka në Napoli

Gjon Muzaka një nga princat më të famshëm shqiptarë me një fat gati shekspirian, midis luftërave të egra, tragjedive familjare dhe gëzimit të mundimshëm në Napoli në vitin 1510 ndjeu si një ankth të brendshëm, si një rrëfim të dhimbshëm, gati providencial, që të shkruajë një lloj testamenti, dëshmitë e tij të përjetuara, të bashkuara me dëshmi historike të karakterit libror, por edhe dëshmi gojëdhënore, për t’u lënë kështu fëmijëve por dhe nipërve një kujtesë princërore për Shqipërinë.

Nisma e tij është e pazakontë dhe me sa duket deri më sot e vetme. Nuk ruhet asnjë testament i shkruar para vdekjes nga Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Sipas zakonit të kohës ka qenë madje e detyrueshme që intelektualë të tillë të mëdhenj kishtarë ose dhe pa tituj të tjerë të lartë hierarkikë, do të thotë. qoftë Barleti, Buzuku apo Onufri në çastin e para vdekjes të bënin rrëfimin dhe kungimin e fundit dhe madje në prani të dëshmitarëve të linin testamente të shkruara.

Një gjë të tillë e ka bërë fjala vjen Pjetër Bogdani. Duke lexuar testamentin e Pjetër Bogdanit, që ai e shkroi në latinisht kupton diçka të vërtetë, sidomos për atë mekanizëm që detyron kishtarët të lënë testamente.

Nuk dimë asgjë, absolutisht asgjë për testamentet e princërve të mëdhenj dhe të habitshëm të Shqipërisë, për Balshajt, Topiajt, për Zenebishtët, Zahariat etj.

Ndoshta edhe kanë lënë testamente të tilla, por është një fakt që koha nuk i ka kursyer dhe i ka zhdukur, ose mund të ndodhen në arkiva evropiane si në një varrosje të shurdhët, nën blindazhin e harresës së pamëshirshme.

Për çudi Testamenti i Gjon Muzakës, u ruajt në bibliotekën Brankaçiane të Napolit. Në 1863 një historian i pasionuar gjerman Karl Hopf (1832-1873) e zbuloi dorëshkrimin e Muzakës dhe u mahnit.

Për një rastësi edhe tragjike por edhe fatdhënëse për historinë e shqiptarëve ai e botoi të plotë dorëshkrimin Muzakian në vitin 1873 në librin e tij “Kronikat greko-romane”, që e botoi frëngjisht në Berlin dhe në të njëjtin vit ai vdiq në moshën 41 vjeçare.

Në se do të kish vdekur vetëm një vit më parë ende sot teksti i Muzakës do të kishte mbetur në terr. Ja pra që një vit jetë njeriu së bashku me fatalitetin e vdekjes, mund të sjellë dhe dritën verbuese të një zbulimi të rrallë.

Për fat të mirë dorëshkrimi i Gjon Muzakës u publikua dhe u bë i njohur në rrafshet e dijes dhe është botuar edhe në gjuhën shqipe. Princi i rreptë dhe luftëtar Gjon Muzaka ka lënë kështu librin e tij të jetës dhe të shekujve, me qëllim të padyshimtë dhe ambicioz për ta kapërcyer shekullin e tij si një hipotekë mendore për shekujt e së ardhmes.

Teksti i Gjon Muzakës është në të vërtetë një tekst i llojit laik, lënda është esencialisht historike me dëshmi të patjetërsueshme dhe krejtësisht origjinale të tij, pa përjashtuar këtu dhe një përmbledhje gojëdhënash gjenealogjike si dhe shpjegimin e parë të rëndësishëm të një shqiptari për stemat heraldike të princërve bashkëkohës, që janë thandruar si maska përkujtimore dhe kultike në tempullin e kujtesës së kombit.

Pa dashur të bëj analizën e mirëfilltë të tekstit të Gjon Muzakës, që lidhet me historinë dhe gjenealogjinë e shtëpisë së Muzakajve, dua të theksoj një motiv që ka mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve, që janë marrë me këtë libër.

Kam shkruar disa herë për biblizmin e tri viganëve si Barleti, Buzuku dhe Onufri nuk duhet të harroj, nuk kam të drejtë të bishtnoj edhe biblizmit të Gjon Muzakës, i cili është një princ i krishterë, dhe e nis testamentin e tij për brezat pikërisht me një apologji biblike gjithashtu universale.

Pa dashur të shtoj vargun e viganëve, mendoj se edhe dëshmia më modeste e princit të paharruar Gjon Muzaka duhet patur parasysh, sepse shton, perfeksionon, kthjelltëson, lartëson biblizmin shqiptar, shkruan Dr. Moikom Zeqo.

Fillimi i shënimeve të Gjon Muzakës nis me emrat e dyfishtë JEZUS MARIA. Dhe ja thirrja e përmalluar si një skicë sinoptike, me një lakonizëm të diamantë dhe rrezeshpërndarës e Gjon Muzakës:

_____________________________________

“ Gjithçka që është nën Diell është kotësi

Ejani o bijtë e mij, dëgjoni, po ju mësoj se çështë frika ndaj Zotit.

Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë ndaj lutjeve të tyre.

Fytyra e Zotit është kthyer nga keqbërësit që t’i zhdukë nga faqja e dheut.

Të drejtët ngritën zërin dhe Zoti i dëgjoi dhe i çliroi nga të gjitha shqetësimet e tyre.

Pirroja, Mbreti i Epirit, mbante të shkruar në një unazë këto fjalë : “I virtutshmi e ka pak të shpërblehet si sundimtar i botës, por i ligu e ka shumë pak të ndëshkohet duke ia marrë jetën!”

Është i nderuar midis të nderuarve ai që fati e godet pa faj dhe është më i poshtëruar i të poshtëruarve, ai që fati e ngre pa merituar.

Atë që mund ta bëni me paqe mos e bëni me luftë.

Atë që mund të fitoni duke e kërkuar me lutje mos e rrëmbeni me forcën e armëve.

Atë që mund ta qortosh fshehtas mos e poshtëro publikisht.

Prindi që le birin e tij të mësuar por të varfër thuaj se i ka lënë gjithçka. Por ai prind që e le të birin të pa mësuar dhe të pasur thuaj se nuk i ka lënë asgjë.

Është më mirë një ndihmë e vogël që vjen në çastin kur duhet, se sa një ndihmë e madhe që nuk vjen në çastin e duhur por vonon.

Njeriu që me anë të forcës është bërë tiran, është më mirë të kthehet në një skllav të së drejtës.

Nuk mjafton që një njeri të jetë i mirë, por është e domosdoshme që ai të shmangë çdo rast apo mundësi, që mund t’i afrohet atij për t’u bërë i keq.

Njeriu të mos harrojë kurrë sa jeton se lumturia është vetëm hua, ndërsa mjerimi është një trashëgim prej natyre.