Lajme

Gërvalla: Grenell ishte ambasador skandaloz në Gjermani, e vetmja gjë që i ka mbetur janë mesazhet në Twitter

Pas shkrimit në Twitter të ish ambasadorit Richard Grenell i cili va vazhduar me deklarata kundër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke e quajtur antiamerikan, ka reaguar Donika Gërvalla nga lista e Vjosa Osmanit.

Gërvalla në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se në Gjermani Grenelli ka qenë një ambasador skandaloz dhe po aq skandaloz ka qenë si i dërguar i presidentit amerikan në Kosovë.

Ajo më tej shkruan se Grenell është vetëm një kapitull i së djeshmes dhe që e vetmja gjë që i ka mbetur janë mesazhet në Twitter.

Lexoni të plotë postimin e Gërvallës në Facebook:“Dokrrat e pakripura në Twitter Sipas të gjitha sondazheve ndërkombëtare, shqiptarët janë populli më proamerikan i këtij planeti.

Jo vetëm Albin Kurti që jo se jo, por në Kosovë asnjë person që di të numërojë deri në tre nuk është kundër Amerikës. Arsyen e dimë të gjithë.

Në Gjermani Grenelli ka qenë një ambasador skandaloz dhe po aq skandaloz ka qenë si i dërguar i presidentit amerikan në Kosovë.

Qytetarët amerikan i kanë larguar tashmë që të dy nga postet e tyre të larta. Të dy kanë tentuar më pas që zgjedhjet e lira në Amerikë të mos i pranojnë duke i quajtura të manipuluara, gënjeshtra këto që kulmuan në sulmin e armatosur ndaj Kapitolit duke i shfaqur botës ndër imazhet më të shëmtuara që kemi parë ndonjëherë nga Amerika.

As Trumpi dhe as Grenelli nuk janë interesuar asnjë herë për Kosovën, ata interesohen vetëm për veten e tyre. Për fat të mirë, Grenelli mbetet vetëm një episod i shkurtër dhe i shëmtuar për vendin tonë.Presidenti Biden është një mik i vërtetë i Kosovës.

Në vend të gjuhës së presionit, administrata e re amerikane ofron mbështetjen e saj për sfidat e shumta që na presin. Këto janë marrëdhëniet normale mes Amerikës dhe Kosovës.

Sa mirë të dish që Grenelli është vetëm një kapitull i së djeshmes dhe që e vetmja gjë që i ka mbetur janë mesazhet në Twitter.Zoti i ka bekuar Amerikën dhe Kosovën dhe miqësinë e tyre të përhershme”.